Shiten shënimet e Mourinhos

Sa vlen një ide që sillet në kokën e Jose Mourinhos? Një taktikë e elaboruar nga mendja e portugezit për ta mposhtur kundërshtarin. 2500 euro! Ka njerëz që thonë se është shumë për një fletore të thjeshtë të mbushur, por ka prej tyre që thonë se është pak, për t’i kuptuar sekretet që sillen në kokën e ‘Special One’.
Dyshimin e heq Ricardo Fonseca, djali i ish kolegut të Mourinhos në Asociacion de Entrenadores de Porto. Në fakt, trajneri nga Setubal ia kishte dhënë Fonseca seniorit një bllok me shënime të ndeshjes së fundit kampionale me Porton në maj të vitit 2004, para ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve, të cilën do ta fitonte ditë më pas.
Pas 6 vjet e gjysmë, idetë precize të zotëri Mourinhos, të cilat i kishte përdoruar për ndeshjen ndaj Porto-Paços de Ferreira, kanë përfunduar në shitje në sajtin custojusto.com për një shifër jo dhe aq të fryrë, 2500 euro.
Këtë e ka bërë Ricardo Fonseca junior, i cili dëshiron që me këtë rast të kujtohet periudha kur Mou e udhëhoqi Porton, duke fituar kampionatin në periudhën 2002-2004, një Kupë UEFA dhe Ligën e Kampionëve.
“Babai im e përshëndeti Mourinhon pas përfundimit të pjesës së parë. Dhe, Mourinho, duke shkuar në zhveshtore, befasisht ia dha si dhuratë fletoren e tij”, kujton Ricardo Fonseca.
“Kjo është një mundësi e mirë, sepse Mourinho po shkruan historinë dhe së fundmi është zgjedhur trajneri më i mirë në botë. Do të ishte një gjë interesante për ata që duan ta kenë në shtëpi”, shtoi Fonseca.
Blloku me shënime përfshin mënyrat se si duhet të mbulohen lojtarët kundërshtarë, lëvizjet e tyre dhe taktikën, dhe në fund, një dizajn i 11-shes titullare me treshen e sulmit të përbërë nga lituanezi Jankauskas, jug-afrikani McCarthy e braziliani Derlei.
Këtë ndeshje ekipi i Mourinhos e fitoi 3:1.