E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Çifti Martin’, një freski në Francë

Shfaqja ‘Çifti Martin’ me regji të Bekim Lumit, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, vazhdon të tërheqë vëmendjen e shtypit ndërkombëtar. Pas pjesëmarrjes, në nëntor të vitit 2010, në Festivalin Kontemporan Europian ‘Euro-Scene’, në Leipzig, të Gjermanisë, kur shfaqja kishte zënë vend në shtypin gjerman, këto ditë përmes një shkrimi tjetër, ‘Çifti Martin’ është prezantuar edhe në numrin më të ri të revistës franceze ‘Cassandre Horschamp’. Nga Thomas Hahn, “Cassandre/Horschamp” më 27 janar 2011 në ora 12:11

Paris, dimër, 2011- Në shkrim, i cili shoqërohet edhe nga një fotografi e shfaqjes me aktorët Astrit Kabashi e Gresa Pallaska, kritiku i teatrit Thomas Hahn, i cili e ka ndjekur shfaqjen gjatë Festivalit të Leipzig-ut, duke iu referuar përshtypjeve të tij dhe bashkëbisedimit me regjisorin Bekim Lumi, jep një tablo të gjithanshme jo vetëm për shfaqjen, por edhe për gjendjen e teatrit në Kosovë.

“‘Çifti Martin’ është ide e Bekim Lumit, nga Teatri Kombëtar, një copëz e nxjerrë nga dialogu i famshëm ndërmjet zonjës dhe zotërisë Martin, nga ‘Këngëtarja Tullace’ e Ionesco’s. Aktorët e përsërisin tekstin shumëherë, duke rënë në atmosfera burleske, ludike, absurde ose tragjike. Luhet, vallëzohet, këndohet”, shprehet Thomas Hahn në shkrimin e tij, duke shtuar se: “Prania e Lumit në Leipzig na kujton që, për shkak të trazirave politike, gjendja e artit në Lindje nuk mund të jetë e njëjtë si në Perëndim. Kësaj situate në Kosovë i shtohet edhe dhuna e luftës, ose edhe ‘aparteidi’ i përjetuar gjatë një dekade të tërë. Teatrot udhëhiqeshin nga serbët, dhe në to ishte e ndaluar të flitej shqip”.

Në kontekstin e përjetimeve nga lufta, Hahn thotë se: “Lufta ndërhyn në ‘Çiftin Martin’ në formë të kujtimeve. Derisa është duke ndërruar jetë nga të shtënat, z. Martin ngrihet dhe bashkëshortja e tij, e shokuar nga mashtrimi i kësaj pike tragjike, fillon një të fjalosur të madhe. Kosova kalon në normalitet. Lufta ndalet, çiftet marrin hov”. Tutje, Hahn i referohet edhe Lumit: “Inspirimin për këtë skenë e kam marrë nga një episod i përjetuar nga prindërit e mi, të cilët arritën të shpëtonin nga serbët që i ndiqnin. Lufta i ka lidhur njerëzit mes vete, mirëpo tani po shpërbëhet një strukturë familjare tradicionale”, thotë Lumi.

“Për të, teatri i Ionesco’s është absurd vetëm në shikim të parë. Ai në të gjen një varg leximesh të mundshme”, sqaron Hahn.

Ndërsa, duke folur për gjendjen e teatrit në Kosovë dhe mbështetjen e pamjaftueshme institucionale për paraqitjen e shfaqjeve jashtë vendit, Thomas Hahn shkruan:

“Mirëpo, Qeveria e Kosovës nuk i ndihmon artistët e saj që të qarkullojnë. ‘Çifti Martin’ ka arritur të dalë jashtë vendit falë ndihmës së Institutit Goethe dhe Ambasadës Gjermane. Në Kosovë teatri është i margjinalizuar. Kjo bëhet edhe më e dhimbshme, kur Lumi deklaron që ‘secilën herë që ne arrijmë të luajmë jashtë vendit, barra e luftës që ne e bartim na lehtësohet ngapak’.

Në vitin 2011 ata (ndoshta) do të luajnë në Seoul. Teatri Kombëtar ka gjithsejtë 200,000 euro në vit për 6-7 produksione”.

Ndërkohë, duke folur për ndihmat e BE’së për Kosovën në fushën e kulturës, autori Hahn, gjithnjë duke iu referuar Lumit, thekson: “Kuptohet që në shtet hyjnë para nga BE. Mirëpo, BE kryesisht i mbështet restaurimet e kishave dhe të manastireve. Harrohet plotësisht që edhe shpirtrat tanë kanë qenë të vrarë”. Ndërkaq, duke iu referuar izolimit të Kosovës dhe pamundësisë së artistëve kosovarë që të komunikojnë me botën për shkak të vizave, Thomas Hahn shkruan:

“Edhe pse, kohë pas kohe, mund ta kalojnë barrierën e hapësirës Schengen, shqiptarët nuk mund të hyjnë në Serbi. Mundësia e tyre e vetme që të takojnë njerëz nga teatrot serbe është që të marrin pjesë në ndonjë festival të huaj”. Hahn e citon Lumin: “‘Mirëpo, për të marrë ftesa ‘duhet të jemi më të mirë se të tjerët. Askush nuk do të na ftojë vetëm pse jetojmë në Prishtinë’. Pjesa tjetër e fajit i mbetet luftës për të marrë viza”.

Shkrimin e tij, Thomas Hahn e përmbyll me konstatimin dhe vlerësimin për një paraqitje eventuale të shfaqjes ‘Çifti Martin’ në Francë. Shfaqja, sipas Hahn, do të sillte një freski në skenën teatrore franceze. “‘Çifti Martin’ do të sillte një gjak të ri në Francë, ngase interpretimet e Eugene Ionesco’s vazhdojnë të mbesin shumë ortodokse (konvencionale)”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›