Femrat presin sefte Godonë
“Ishte vështirë, por në të njëjtën kohë edhe një sfidë, që na dha mundësinë ta tregojmë kreativitetin dhe mjeshtërinë tonë aktoreske”, theksoi Arbnesha Grabovci, derisa po e sqaronte qasjen regjisoriale të shfaqjes ‘Duke Pritur Godonë’.
Shfaqja që u dha të martën mbrëma erdhi në një formë tjetër. Absurdi i njohur Beckett’it kësaj radhe solli personazhet femra që po e prisnin Godonë. Interpretimi, që servoi një përforcim elementesh femërore, tek kontaktet ndërmjet personazheve arriti ta transformojë shfaqjen si gjini, por edhe të jap mesazhin e pritjes.
Estragoni dhe Vladimiri ishin femra, duke e bërë kështu këtë element të veçantë të përqendrimit të publikut.
Sipas dramaturgut, Agron Gërguri, personazhet e meshkujve të interpretuara nga femrat tentonin që ta rikuptimësonin absurdin e Beckett’it.
“Pra, atë që e mora si mesazh nga shfaqja, ishte pritja për t’i dhënë kuptim jetës”, tha ai.
Sipas Gërgurit, personazhet ishin gra të përhumbura, të cilat kanë një bagazh jetësor, por që ende nuk e kanë gjetur esencën e jetës. Ato presin që ajo të ju ndodh, edhe pse, natyrisht, që nuk ndodh. Nuk ndodh më ajo që ka ndodhur, edhe pse duhet sistemuar ajo që tashmë ka ndodhur në jetët e tyre.
Edhe për regjisorin Fatos Berisha, i cili këtë tekst e ka parë në forma nga më të ndryshmet, por gjithnjë të interpretuar nga meshkujt, ishte kjo një qasje interesante.
“Është hera e parë që ‘Duke Pritur Godonë’ po e shoh në këtë formë, gati me të gjithë personazhet femra. Mu duket një qasje interesante, dhe për këtë e përgëzoj regjisoren”, theksoi ai.
Megjithatë, muzika e shfaqjes ishte, mbi të gjitha, ajo që Berishës i la mbresa të mëdha, por edhe vetë prurja e këtij teksti klasik të dramaturgjisë botërore i ka bërë mirë TKK’së në këtë sezon.
Dramaturgu i njohur botëror, Samuel Beckett, fillimisht nuk ishte aq i dashur për regjisoren Drita Begolli. Pasi që e kishte lexuar dramën, në kokë i kishin mbetur një mal paqartësish, duke mos qenë në gjendje as të kërkonte shpjegime karshi ngatërresave që ia shkaktonte ky tekst. Mirëpo, u ndal, dhe u vu para pritjes së pakuptimtë të Godosë. Edhe pse deshi ta sfidonte, megjithatë e mundonte diçka: “fakti që në pritja u ndodhte katër burrave. Pra, pse vetëm atyre? Vendosa që ta ndërroja këtë fat meshkujsh me atë të femrave. I zgjodha pra femrat në vend të katër burrave, dhe duket sikur fillova që ta kuptoja më mirë Beckett’in”, sqaroi Begolli.
Megjithatë, sipas saj, ideja nuk ishte vetëm pritja e pakuptimtë, ngase Begolli deshi të thoshte edhe shumëçka tjetër.
“Shfaqjen e kam ndërtuar mbi pritjen, mbi përsëritjen, mbi abuzimin, mbi shoqërimin dhe, mbi të gjitha, mbi shpresën, pasi që ne si popull i njohim shumë mirë pritjen, përsëritjen, e njohim abuzimin, shoqërimin... dhe më së shumti shpresën”, nënvizoi Begolli.
Pikërisht nëpërmjet këtyre elementeve ajo edhe u mundua të pasqyrojë botën e femrës sonë.
Të pyetur për dhënin e një vlerësimi të mundshëm kritik, disa dramaturgë dhe regjisorë s’ishin në gjendje të flisnin, e disa të tjerë ngaqë ishin pjesë e komisionit vlerësues për mbrojtjen e temës së magjistraturës së regjisores me këtë shfaqje. Publiku ndërkaq shfaqjen duket se e priti mirë, duke e vlerësuar atë si solide.
Në rolin e Vlladimirit u shfaq Drita Krasniqi, Estragoni ishte Arbnesha Grabovci-Nixha, Pozo Kumrie Hoxha, Lucky Agnes Nokshiqi, ndërsa djaloshi Erind Lokaj.
Ndryshe, Drita Begolli u asistua nga Arlinda Morina; skenografia dhe kostumet u punuan nga Zake Prelvukaj, e muzika ishte e Ilir Osmanit.
Teksti i Beckett’it u përkthye nga Eqrem Basha.