Turbina afron Damjano Sopjanin nga ekipi i të rinjve
Nga ARTAN PAJA
Futbollisti i talentuar elbasanas, Damjano Sopjani është gati të jetë pjesë e Turbinës për sezonin e ri, teksa eksperienca e tij tre vjeçare me ngjyrat e skuadrës së të rinjve, duket se ia lejon këtë atribut. 18vjeçari është identifikuar si golashënuesi më i mirë i cërrikasve te të rinjtë, ndërsa këtë radhë ftesa vjen nga drejtuesit më të lartë të klubit, por edhe nga trajneri Belshi. Në pozicionin e sulmuesit por edhe të mesfushorit, i riu shfaq tendencat e hapura për të provuar një tjetër emocion, siç është ai i të qenit titullar i skuadrës.”Mund të them me bindje se jam gati të mbroj ngjyrat e Turbinës për edicionin e ri. Unë besoj se skuadra ka aftësinë të promovojë lojtarë, që janë në rritje e sipër, gjë tek e cila unë besoj tej mase. Jam shumë i gëzuar nga ftesa që më është drejtuar nga stafi teknik dhe presidenca e klubit dhe premtoj se nuk do të zhgënjej askënd për atë që do të jap në fushën e blertë. Shpresoj që Turbina të shfaqet si pretendente qysh nga java e parë e deri në fund të kampionatit, pasi kjo skuadër nuk e meriton kategorinë ku militon aktualisht,-u shpreh Damjano Sopjani. Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Cërrikut, Servet Duzha, në emër të institucionit që drejton ka promovuar uniformat e reja të skuadrës së Turbinës, ndërsa ka pohuar se ekipi do të plotësohet me të gjitha aksesorët që kërkon një skuadër pretendente. Sipas z. Duzha, së shpejti pritet që skuadra të ketë edhe ndihma të tjera nga donatorë të jashtëm, ndërkohë që për sportdashësit e saj të zjarrtë do të praktikohen sërish abone për stadiumin ”Nexhip Trungu”. Për herë të parë, ato u praktikuan në fillim të fazës së dytë në sezonin e kaluar, ku bashkia mblodhi disa kontribute financiare modeste.
