“Amnistia”në Sarajevo Film Festival
Filmi “Amnistia”, i regjisorit Bujar Alimani, do të konkurrojë në Festivalin e Filmit në Sarajevë. “Amnistia” aty kandidon për çmimin “Zemra e Sarajevës”, ndërkaq Luli Bitri, me rolin e Elsës, në kategorinë e “Aktores më të mirë”.
Sarajevo Film festival mbahet nga 22 deri më 30 korrik. Ndonëse festivali fokusohet më shumë në prodhimtarinë kinematografike të vendeve të Evropës Lindore, ai është një nga ngjarjet më të rëndësishme në botën e filmit. Në festival garojnë filma të metrazhit të gjatë, të shkurtër dhe dokumentarë.
Konkurrenca do të jetë e fortë për “Amnistinë” e Alimanit, që është filmi i parë i gjatë artistik për autorin. “Amnistia” është realizuar në një kohë rekorde, si bashkëpunim shqiptaro-greko-francez. Xhirimet janë bërë në mes Tiranës dhe Pogradecit, kurse peshën më të madhe të filmin e bartin katër aktorë: Luli Bitri, Karafil Shene, Todi Llupi dhe Mirela Naska.
Filmi flet për një histori të pafat dashurie, që lind në kushte të jashtëzakonshme dhe që është e destinuar të vdesë - njësoj si dy protagonistët e saj, Shpëtimi dhe Elsa.