LDK sërish akuzon
Lidhja Demokratike e Kosovës pohon se po ndjek me shqetësim zhvillimet “jonormale në Ministri dhe në institucionet e kulturës”. Si rrjedhojë, në një kumtesë të LDK’së, thuhet se: “Pas kërcënimit publik nga ana e ministrit dhe pasi është shantazhuar disa ditë me radhë në zyrat e këshilltarëve të Ministrit dhe në zyrën e Sekretarit, Ministria e Kulturës ka pranuar se ka shkarkuar drejtorin e Departamentit të Kulturës”.
LDK e quan këtë një akt joligjor të ndërmarrë nga “njerëzit e PDK’së të instaluar në këtë Ministri nga ana e kryeministrit”. Kjo ngase, sipas LDK, në vendimin e Ministrisë nuk është dhënë asnjë arsye për shkarkimin e drejtorit, gjë që është në kundërshtim me ligjin.
Në fakt, LDk pohon se, drejtori i Departamentit të Kulturës është transferuar në Zyrën e Informimit kundër vullnetit të tij, gjegjësisht në postin e drejtorit të shkarkuar ditë më parë, Jusuf Lushakut.
“LDK i konsideron të papranueshme, joligjore dhe joetike veprimet e PDK’së në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në kumtesën e LDk’së të publikuar të hënën.
“Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga kryeministri që përfundimisht të heqë dorë nga praktika e dëmshme e instalimit në institucione të njerëzve pa dije, që shkelin ligjet dhe që shpërdorojnë çdo vlerë njerëzore”, vazhdon kumtesa e LDK’së, sipas së cilës “për çdo veprim të PDK’së në Ministri” përgjegjës është vetë kryeministri.