Çmimi ‘Strega’ shkon për ‘pushtimin’ kinez
Me 138 vota fitoi autori Edoardo Nesi me librin “Historia e njerëzve të mi”. Çmimi i rëndësishëm i jepet një libri të tregimtarisë në prozë një autori italian, libri i të cilit botohet nga 1 maji i vitit të mëparshëm deri më 30 prill të vitit në vazhdim. Qysh në fillim autori ishte në krye të klasifikimit, por preferoi të priste verdiktin e jurisë dhe jo të shtypit. Kur mbërriti lajmi i mirë autori u shpreh: “Jam i lumtur që fitoj këtë çmim dhe ua dedikoj të gjithë njerëzve që kanë humbur punën. U shkon të gjithë atyre, për të cilët flas në librin tim dhe qytetit tim Prato”. Teksa ka ngritur dollinë, ka shtuar: “Ndjen njëfarë kënaqësie të thyhesh monopolin e ‘Mondadorit’. Kishte ardhur momenti”. Autorët e botuar nga “Mondadori” e kanë fituar këtë çmim katër vitet e fundit. Nesi ka qenë finalist edhe në vitin 2005 me librin “Mosha e artë”. Në librin e ri që mori çmimin, autori flet për qytetin e tij të Pratos dhe industrinë e tekstilit të pushtuar nga kinezët. Një histori autobiografike, sesi cunami i orientit po shkatërron industrinë e tekstilit, për kuptimin e rrënimit të industrisë së vogël italiane dhe ushtrinë e të papunëve. Midis romanit dhe esesë, autobiografia dhe traktati ekonomik është një thirrje e dhimbshme dhe zemërimi për mënyrën sesi po flaket tutje vitaliteti i sipërmarrësve të vegjël që sot janë një kujtim dhe sesi iu la vend mashtrimit me anë të globalizmit. Nesi që ka qenë sipërmarrës tekstili, ka lindur në Prato, në vitin 1964, është më se i bindur se është detyrë e letërsisë që të interpretojë realitetin dhe përpiqet të shpjegojë se çfarë ndien brezi i parë i italianëve që janë më të varfër se prindërit e tyre.
Në garë ishin katër libra të tjerë me autorët Bruno Arpaia me “Energjia e zbrazëtisë”, ku flet për mundësinë që arti dhe shkenca të mos jenë dy kultura të kundërta, të ndara; Luçiana Kastelina me “Zbulimi i botës”, nxjerr nga pluhuri ditarët e fëmijërisë nga viti 1943-1947, për të treguar fundin e fashizmit dhe të botës që ndryshon; Mario Desiati me “Ternitet” që flet për dramën e dymijë banorëve të komunave në Pulja që emigruan në Zvicër, për të punuar në fabrikat e amiantit ku gjetën vdekjen dhe Mariapia Veladiano me “Jeta përbri”, libër që fitoi çmimin “Kalvino”, në vitin 2010, flet për një grua të shëmtuar që nuk di t’i shprehë dëshirat e veta. Njeh vetëm ato dëshira që mund t’i shprehë. E pëlqen muzikën dhe pianoja do të jetë shpëtimi i saj. Dikush mund të thotë se “Strega” është një çmim si gjithë të tjerët, por të bën përshtypje fakti se organizohet “live” dhe transmetohet nga televizioni.
Çmimi “Strega” nuk është vetëm sinonim i produkteve cilësore, por nga viti 1947 është emri i çmimit më të rëndësishëm letrar italian. Ky çmim lindi në sallonin letrar të familjes Bellonci, ku mblidheshin miqtë e së dielës. Sot përbëhet prej 400 anëtarësh, mes të parëve De Filipi, Pazolini, Moravia, Gutuzo, Bontempeli, Saviano etj. Në origjinën e vet, çmimi ka një histori miqësie, shumë e bukur; një industrialist me pasionin për recitimin dhe prej familjes Bellonci. Fituesi i parë i çmimit ishte Enio Flaiano me librin “Koha për të vrarë”, në vitin 1947 dhe u përzgjodh mes 14 konkurruesve në garë. Në vitet që pasuan morën pjesë emrat më në zë të letërsisë italiane të viteve ‘900 si Moravia, Eko, Morante, Paveze, Gada, Palaceski, Silone, Di Lampeduza etj.