E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Benetton” do ta ribëjë “Unionin”

Prishtinë, 3 gusht – Kompania italiane “Benetton” ka premtuar të hënën se objektin e ish-hotelit “Union” do ta ndërtojë ashtu siç ka qenë. Një gjë të tillë, kompania e cila më 2006 e privatizoi ndërtesën emblematike të kryeqytetit, 83 vjet të vjetër, thotë se do ta bëjnë me 10 milionë euro dhe 9 muaj punë.
I pari i kompanisë “Benetton”, Franco Furno, e ka thënë këtë në një konferencë për media, të mbajtur në Teatrin Kombëtar, pak metra larg objektit, nga i cili ka mbetur vetëm gërmadha. Pak ditë para se Furno të shkelte Kosovën, kryeqyteti është vërshuar nga billbordet ku në një sfond ngjyrë qielli duket ndërtesa e ish-hotelit “Union” me mbishkrimin “opening soon” në ballë.
“Ndërtesa e ‘Benettonit’ në Prishtinë do t’i ketë të gjitha vlera arkitektonike të ndërtesës së ‘Unionit’, e cila fatkeqësisht është dëmtuar rëndë”, ka thënë Furno
Furno dukej optimist teksa jepte këto premtime, ani pse Ministria e Kulturës dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës kanë dhënë urdhër që të mos vihet dorë mbi këtë objekt. Kjo fundit madje ka nisur procedurat e padisë ndaj “Benettonit”. Në ditën kur Franco ka premtuar kësisoj, as zyrtarë të MKRS-së e as ata të KK-së të pyetur nga gazeta nuk kanë një përgjigje të prerë nëse “Benettonit” do t’i japin “izën” ta realizojë planin.
Takimi i fundit mes zyrtarëve të lartë të Komunës së Prishtinës dhe drejtuesve të kompanisë “Benetton”, mban datë 15 qershorin. Furno dhe ekipi i tij nga Italia, po qëndrojnë në Prishtinë, me qëllim që të rimarrin lejen për renovimin e objektit. Ata ishin të vetëm në konferencën për shtyp të së hënës, ndërsa qëllimi i saj, sipas Furnos, është që projekti për renovimin e objektit të ri të dalë para publikut të gjerë, nëpërmjet mediave.
“Ne nuk dëshirojmë të mendojmë se projekti do të bllokohet për këtë punë, besojmë se leja për ndërtim do të jepet dhe do të tejkalohen të gjitha pengesat”, ka thënë Furno me bindje. “Jemi të gatshëm që të veprojmë dhe ta rindërtojmë ndërtesën, duke e ruajtur vlerën e saj arkitektonike dhe grandiciozitetin e saj”, ka shtuar ai.
Në maj të këtij viti kreu i Prishtinës, Isa Mustafa, i kishte thënë “jo” rehabilitimit të monumentit. Për një gjë të tillë ai pati thënë se është bazuar në raportin vlerësues të Komisionit të ekspertëve të Trashëgimisë Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sipas të cilit objekti i ish-hotelit “Union” nuk paraqet më vlerë, pas shkatërrimit që i është bërë. Në gusht të vitit të kaluar objekti i mbrojtur me ligj u kaplua nga flakët përderisa në janar iu rrënuan tri muret kryesore.
Muhamet Gashi, zëdhënës i Kuvendit Komunal të Prishtinës, vetëm pak minuta pasi që ka përfunduar konferenca e “Benettonit” ka thënë për gazetën se “Benetton” duhet të presë deri në fund të gushtit, ose në fillim të shtatorit, që të merret vendimi nëse do t’i lejohet të punojë.
“Komuna e Prishtinës është duke pritur mendimin e institucioneve dhe të ekspertëve para se të marrë vendimin”, ka thënë Gashi, teksa ka shtuar se në të njëjtën kohë në raport me ish - hotelin “Union” është duke u punuar edhe në një tjetër pistë.
“Komuna e Prishtinës ka përgatitur padi ndaj pronarit të këtij objekti që nuk ka marrë masat e duhura në momentin që i është dhënë leja për restaurim për ta ruajtur objektin, që sipas ekspertëve vlerat historike dhe kulturore të këtij objekti janë të rrënuara”, ka thënë Gashi.
Por Franco Furno ka thënë se kompania që ai drejton nuk ndihet përgjegjëse për atë që ka ndodhur.
“Nuk e dimë se si ka ndodhur zjarri, ne nuk e kemi vënë atë. Hetimet janë në vazhdim e sipër dhe shpresoj që njerëzit përgjegjës për këtë gjë do të arrestohen”, ka thënë Furno, teksa është distancuar nga ai veprim.
Ndërkohë Ministria e Kulturës ka marrë vendim në bazë të të cilit të gjitha lejet për renovimin apo rindërtimin e objekteve të trashëgimisë kulturore i takojnë t’i marrë vetë ajo.
Arbër Hadri, ushtrues i detyrës në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në MKRS, ka thënë se institucioni më i lartë kulturor në vend është i interesuar që objekti të kthehet në gjendje të mëparshme.
“Procedurat burokratike janë eliminuar me këtë vendim”, ka thënë Hadri.
Gjejlane Hoxha, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ka besim në seriozitetin dhe profesionalizmin e kompanisë “Benetton”.
“Asnjë arsye nuk është që mos të bëhet në praktikë një ide që në teori përshkruhet se do të jetë kështu”, ka thënë Hoxha. “Nuk po kuptoj pse duhet të kemi pengesa”, ka shtuar ajo.
Projekti për renovimin e ish-hotelit “Union” i është besuar studios arkitekturale “Arassociati”. Furno ka thënë se kjo është në vijë me traditën e gjatë të grupit në rindërtimin e vendeve historike që janë përcaktuar që të bëhen pronë e kompanisë.
“Qëllimi ynë është që të sigurohemi që ndërtesa e re të duket sikur ajo që ju dhe baballarët tuaj e kanë në mendje”, ka thënë Furno.
Edhe Haxhi Mehmetaj, drejtor i Institutit i Monumenteve dhe i Muzeut Rajonal të Prishtinës, thotë se nuk dëshiron t’i paraprijë qëndrimit të komisionit qendror që është krijuar nga MKRS, për këtë çështje.
“E mira e së mirës është që të ruhet një objekt, edhe pse me vetë faktin e rrënimit vlerat e tij kanë humbur”, ka thënë Mehmetaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›