Në moshën 99-vjeçare ndërron jetë Mitch Miller

New York, 3 gusht - Mitch Miller, dirigjenti i famshëm amerikan, ka ndërruar jetë në moshën 99-vjeçare. Vajza e tij Margaret Miller Reuther ka konfirmuar se Miller ka vdekur në spitalin “Lenox Hill Hospital” pas një sëmundjeje të shkurtër. Miller ishte drejtues ekzekutiv në “Columbia Records” në periudhën “para rock n’ roll”, duke bërë hite me këngëtarë si Rosemary Clooney, Patti Page, Johnny Mathis dhe Tony Bennett. Ai njihet më së shumti për serinë “Sing Alone with Mitch”, që u shndërrua në një nga spektaklet më të famshme të NBC në fillim të vitit 1961. Si producent, Miller ka pasur shumë bashkëpunime të suksesshme me artistë të ndryshëm, duke përfshirë edhe Frank Sinatran. Spektakli televiziv “Sing Alone with Mitch” është radhitur në mesin e 20 më të mirëve në periudhën e viteve 1961 – 1962. Mitch Miller ka udhëhequr një numër të madh të orkestrave gjatë karrierës së tij të hershme, duke përfshirë edhe atë të vitit 1934, që e bashkoi me George Gershwin. “Gershwin ishte një njeri shumë i thjeshtë. Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të ngrejë zërin”, kishte thënë Miller për “The New York Times” në vitin 1989.