Pianoja e “The Beatles” në shitje

Londër, 3 gusht– Një shtëpi e ankandeve në Angli është duke ofruar për shitje një piano nga “London’s Abbey Road Studios”, që është përdorur për këngë të grupeve legjendare si “The Beatles” dhe “Pink Floyd”. Shtëpia e ankandeve “Bonhams” ka lajmëruar të hënën se pianoja, e cila ka gjurmë të spërkatjes me kafe dhe disa djegie me cigare, pritet të shitet për afro 100 mijë deri në 150 mijë funte. Pianoja, e cila ka qenë e vendosur në “Abbey Road’s Studio Three” mes viteve 1964 dhe 1980 dhe është përdorur për këngë të “The Beatles” që janë shndërruar në hite, duke përfshirë “Tomorrow Never Knows” dhe “Paperback Writer”. Incizimi i këngës “Dark Side of the Moon” të grupit “Pink Floyd” në “Studio Three” po ashtu është bërë duke përdorur këtë piano. Shitja e pianos është pjesë e një ankandi përkujtimor që mbahet në kuadër të “Goodwood Vintage Festival” në Chichester, në jug të Anglisë.