E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjisori që shndërroi në film jetën familjare

Prizren, 3 gusht – I veshur me këmishë dhe xhinse të stilit të viteve ‘60-ta, Block ka një natyrë të qetë në qëndrim, por dinamik në vrojtimin e gjërave. Ai ka ardhur nga New Yorku në Prizren, për festivalin “Dokufest”, ku prezanton filmin e tij “The Kids Groë Up”, një rrëfim për lidhjen prindër – fëmijë, i shfaqur jashtë konkurrence të dielën në mbrëmje. Veç kësaj, ai është anëtar jurie në kategorinë e filmave të shkurtër.
Block ka një të folur që tregon entuziazmin e tij për të sqaruar ato që njerëzit e pyesin.
“Nuk më pëlqen kur jam i detyruar që njerëzve t’u kthej përgjigje kur ata më pyesin. Gjithmonë u lutem që të më lejojnë t’ua sqaroj gjërat”, thotë Block, i cili ndalet së foluri për disa minuta kur dëgjon thirrjen së ezanit në xhamitë e shumta në Prizren.
Spontanisht ai ndërron temën e bisedës sa herë që atij i duket e nevojshme. “Jam rritur dhe jetoj në qytetin më të madh në botë dhe më dinamik gjithashtu. është vizita ime e parë në Prizren; është hera e parë që e vizitoj këtë rajon të Ballkanit Perëndimor. Dhe ky është një qytet jashtëzakonisht mbreslënës. është thjesht i bukur”, thotë Block duke u përpjekur që të hedhë një sy diellit të kuq që kapte kalanë e qytetit.
Por, përpos shijimit të atij peizazhi, ai ka një arsye të fortë e cila e ka shtyrë që të udhëtojë mijëra kilometra deri në Prizren. Filmi i tij i metrazhit të gjatë “The Kids Grow Up”, do të shfaqej po atë natë, në orët e fundit të përfundimit të programit filmik të ditës së dytë të “Dokufestit”. Ndërsa tregimi i tij është edhe më intrigues sesa vetë prania Block në Prizren. “Sa herë shfaqet ky film kam një ndjesi të veçantë. Fundja kjo është e natyrshme. Në film aktorët janë e gjitha familja dhe shoqëria ime”, thoshtë Block para se të niste filmi.
Krijues filmik nga New Yorku, veprat e të cilit përfshin disa nga dokumentarët më të shpërblyer të metrazhit të gjatë, gjatë dy dekadave të fundit, në këtë festival është paraqitur me filmin i cili për personazh ka vajzën e tij, Lucy, të cilën e ka filmuar që nga koha kur ka lindur e deri në kohën kur ajo rritet dhe i duhet të zhvendoset nga shtëpia e saj. Filmi i cili i tëri përmban skena reale të familjes Block, flet për lidhjen baba-nënë-fëmijë, përzier edhe me refleksione nga anëtarët e tjerë të familjes.
“Ky tregim është gati i njëjtë në çdo familje. Vetëm që unë e kam paraqitur përmes asaj çka ka ndodhur në familjen time”, thotë Block, sipas të cilit xhirimi i këtij filmi nuk ka qenë aspak i lehtë. Në filmin ku shihet lidhja e Block si baba me vajzën Lucy dhe anasjelltas, përmës ndryshimit të asaj lidhjeje deri në kapjen e konflikteve dhe skenave të dhimbshme familjare, publikut të mbledhur në kinemanë “Bahçe”, i krijon një kuriozitet që të pyesë në lidhje me ndjesinë e Block se si është kur ekspozon familjen në një film. Përgjigjja e vetme e tij është: “Një familje duhej të ishte. Unë e zgjodha timen”.
Për të edhe pse prindërit kurrë nuk e kuptojnë se fëmijët rriten, ky film e ka bërë të kuptojë se “nëna dhe babai thjesht një ditë duhet të heqin dorë nga fëmijët”.
Edhe pse ka dëgjuar se në familjet shqiptare tradita është komplet ndryshe nga ato amerikane, për Blockun, kjo nuk ka ndonjë rëndësi.
“Dikur, herët apo vonë, fëmijët përsëri ikin dhe ndjesia prindërore është e njëjtë”, thotë ai, duke mos dashur që të flasë në lidhje me traditat shqiptare, pasi nuk është i njohur shumë me to.
Por ndërkohë që filmi i tij u prit mirë nga publiku, temën për detyrën e tij si anëtar jurie, nuk pranon ta hapë. “Në këtë pozicion vetëm mund të flas me fjalor diplomatik. Unë nuk e pëlqej këtë fjalor kështu që e lëmë të flasim pas festivalit”, thotë Block duke kërkuar ndjesë.
E ndërkohë që dita e hënë kapte minutat e parë të saj, Block zbulon dhe një sekret të tijin.
“Jam duke e bërë një film për martesën time me gruan time me të cilin shpresoj të marrë pjesë në edicion e radhës në ‘Dokufest’”, thotë ai duke pëshpëritur.
Block njihet për filmin e tij “Rruga Birch nr.51” që është shpallur një nga 10 filmat më të mirë të vitit nga “New York Times”, “Chicago Sun Times” dhe “Ebert & Roeper Show”. Si producent dhe kameraman ai ka punuar në filmat “Jeta në liqenin e argjendtë”, “Gruaja e Jupiterit”, “Kandidati perfekt, dashuria dhe Diana”, “Instinkti atëror” dhe “Ecje në det: Danny Williams” dhe “Fabrika Warhol”. Doug është themeluesi i forumit “Fjala D”, forumit të popullarizuar ndërkombëtar për profesionistët e dokumentarit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›