E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kam 20 vjet në vendin tim”, thërret fotografët kosovarë

Prishtinë, 3 gusht – Fotografë të rinj kosovarë kanë kohë që deri më 18 të këtij muaji të pasqyrojnë në fotografi konceptin e tyre rreth temës “Kam 20 vjet në vendin tim” për t’u bërë pjesë e garës fotografike në të cilën marrin pjesë katërdhjetë vende të botës.

Gara e fotografisë, në të cilën për herë të parë përfshihet edhe shteti më i ri në botë, organizohet nga fondacioni “Alliance Francaise” në bashkëpunim me revistën e njohur franceze “Courrier International”.

Pas mbylljes së konkursit, garuesit do t’i nënshtrohen vlerësimit të jurisë në Kosovë, përderisa fotografitë e përzgjedhura për të hyrë në garë ndërkombëtare do të radhiten në mesin e njëzet gjysmë finalistëve. Fituesi i kësaj gare fotografike do të përfitojë një udhëtim për në Paris dhe mundësinë për t’i ekspozuar fotografitë në galerinë e Parisit. Katërdhjetë fotografitë e 20 gjysmë finalistëve do të publikohen në revistën “Courrier International”, si dhe do të pasqyrohen në një ekspozitë të përbashkët.

Laetitia Jacquot, udhëheqja e Qendrës Kulturore Franceze, që është përgjegjëse e fotove për konkursin në Kosovë, ka dhënë më shumë detaje lidhur me garën dhe ka shpjeguar mënyrën se si fotografë kosovarë mund të bëhen pjesë e saj.

“është hera e parë që Kosova përfshihet në këtë garë ndërkombëtare dhe në të mund të marrë pjesë kushdo pa ndonjë limit sa i përket moshës apo nacionalitetit. Me përjashtim të fotografëve profesionalë”, ka thënë Jacquot.

Jacquot ka zbërthyer esencën e temës “Kam 20 vjet në vendin tim”, rreth së cilës duhet të realizohen fotografitë. “Ideja është që të pasqyrojnë një fotografi se si është të jesh i ri në Kosovë në këtë kohë”, ka shpjeguar ajo.

Jacquot po ashtu e ka vlerësuar faktin se fotografëve kosovarë u është dhënë mundësia të bëhen pjesë e kësaj gare. “është një rast shumë i mirë për kosovarët që të marrin pjesë në një eveniment kulturor që në një far mënyre të përfaqësohen në nivel ndërkombëtar. Kjo prani ndërkombëtare është forcuar me faktin se Qendra Kulturore Franceze do të bëhet e para “Alliance Francaise” në Kosovë dhe kështu do të bëhet pjesë e një rrjeti ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

Fotografitë e gjysmëfinalistëve po ashtu do të ekspozohen edhe në Kosovë gjatë muajit tetor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›