E Diel, 1 Nëntor 2026

Superagjenda e “Dokufestit” vazhdon rrugëtimin

Prizren, 3 gusht – Pas vikendit të ngarkuar me mikpritjen e mysafirëve të shumtë, të hënën Prizreni ka kaluar nga “gjendja emergjente” në normalitet, ku programi i ngjeshur i filmave në “Dokufest” është kthyer në përditshmëri.
Meqë mysafirët dhe adhuruesit e filmit janë akomoduar në shtëpi private, hotele e shumë prej tyre në kampin e festivalit, i cili gjendet pak minuta larg Shatërvanit, tani sytë dhe përqendrimi i tyre janë fokusuar në ekranet e shumta të kinemave të Prizrenit.
Programi ditor i së hënës i përbërë nga 46 projeksione në të gjitha kategoritë ka filluar me filmin 61-minutësh “Europe next door” të regjisorit Zhelimir Zhilnik, si pjesë e retrospektivës së 20 filmave të tij, i cili është shfaqur në kinemanë e mbyllur të Shtëpisë së Kulturës. Autori i njohur jugosllav Zhilnik është paraqitur në konferencën e rregullt të “Dokufestit”, ku ka folur për ndjesinë e të qenët pjesë e festivalit, i cili renditet në vendin e 22-të të festivaleve më të mira në botë për filmin dokumentar dhe atë të shkurtër.
“Ky është një nder i madh që më bëhet. është ndjesi e bukur kur njerëzit ta vlerësojnë atë që ti e ke bërë për dekada të tëra”, ka thënë Zhilnik.
Ndërsa drejtori artistik i “Dokufestit”, Veton Nurkollari, ka theksuar se çdo ditë në Prizren do të jetë më speciale dhe më e veçantë sa u përket aktiviteteve dhe shfaqjes së filmave.
“Arsyeja se përse mblidhemi çdo ditë në konferencë është se ‘Dokufesti’ ka për të treguar gjëra të reja”, ka thënë Nurkollari.
Ndërkohë që kalldrëmi i shtruar në shumicën e rrugëve të Prizrenit ka filluar të shkelet masivisht pas orës 16:00, ekranet e kinemave kanë filluar të shfaqin rrëfime të ndryshme përmes filmave deri në orën e parë të ditës së martë.
Në kuadër të garës për dokumentarin ndërkombëtar janë shfaqur veprat e regjisorit Ben Riverse nga Franca me titullin “I know where I’m going” dhe ai i regjisorit polak Pawel Lozinski “Chemo”. Edhe programi i fëmijëve ka qenë më i ngjeshur duke u shfaqur plot 13 filma. Projeksionet që janë shfaqur në kuadër të garës kombëtare si “Girl Like Me”, “Socarrat” dhe “Rita” së bashku me ata të garës për dokumentarët ballkanikë si “Once Upon a Time” dhe “Together” kanë sjellë veprat e fundit të filmbërësve nga rajoni.
Por ka qenë filmi “Space Tourists” i regjisorit zviceran Christian Frei që me rrëfimin e pazakontë për turisten e parë në gjithësi, Anousheh Ansari, ai që ka larguar publikun nga toka dhe në të njëjtën kohë ka mbyllur mbrëmjen e tretë në “Dokufest”.
Për ata që nuk janë mjaftuar me filmat dhe dokumentarët, nata ka qenë e gjatë në Prizren me ndejat në lokalet e shumta të Prizrenit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›