E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Beteja” për mendjet e myslimanëve në Gjermani

Imamët në Gjermani zakonisht kanë qenë meshkuj më të moshuar, të cilët kanë ligjëruar në gjuhën turke apo arabe. Tani, zyrtarët po i brengosë një “lloj” i ri i klerikëve: të ri, dinamikë dhe pjesëtarë të një dege më radikale të islamit. Numri i adhuruesve të tyre po rritet.

Asnjë prej fjalëve të tij nuk është arbitrare. Është kjo një shfaqje, të cilën e ka ekzekutuar shumë herë. Sheiku Abdul Adhim e di se cilat vargje të Kuranit joshin vëmendjen e besimtarëve, e di se cilat tema dëshirojnë t’i dëgjojnë ata. “Djalli do t’iu sprovoj me para dhe drogë”, ju thotë ai besimtarëve në xhaminë Al Nur në Berlin. “Vetëm besimi në Allahun mund të ju mbrojë”. Besimtarët lëvizin kokat në shenjë pohimi. “Askush nuk ligjëron më bukur se Abdul Adhimi”, thonë ata.

Ky 34 vjeçar nga Berlini është figura më e njohur në mesin e komunitetit të imamëve të ri dhe radikal, të cilët po fitojnë ndikim gjithnjë e më të madh në mesin e komunitetit mysliman në Gjermani.

Ata po shfaqen nëpër xhami dhe qendra qytetare, jetojnë në qytetet si Frankfurt, Bon dhe Monchengladbach dhe interneti është platforma e tyre më e rëndësishme. Video-xhirimet e publikuara në rrjet kanë mundësuar rritjen e shpejtë të popullaritetit dhe të ndikimit të tyre në komunitet. Me qindra besimtarë shkojnë të për të marrë pjesë në tubimet e organizuara nga Adhim, apo ato të 33 vjeçarit Pierre Vogel, nga qyteti Frenchen, në afërsi të Kolnit.

Ithtarët e këtyre imamëve të ri theksojnë se ata po e mësojnë rininë, e cila në të kundërtën do të sillej rrugëve. Në anën tjetër, kritikët i shohin njerëzit si Adhimi dhe Vogel si armiq të demokracisë, për shkak të formës konservatore të islamit që ligjërojnë. Shumë prej tyre janë salafistë, ithtarë të lëvizjes fundamentaliste, e cila ndjek mësimet e Profetit Muhamed. Salafistët kundërshtojnë shpikjet, i shmangen ndërveprimit me të pafetë dhe besojnë se ligjet e vetme legjitime janë ligjet, të cilat vijnë nga Zoti.

Salafizmi politik, lëvizja radikale islame me rritjen më të shpejtë në Gjermani, në radhë të parë po joshë imigrantët e gjeneratës së dytë dhe të tretë. Zyra Federative për Mbrojtjen e kushtetutës, agjencia e brendshme e inteligjencës në Gjermani, vlerëson se në Gjermani tani ka prej 3 deri në 5 mijë salafistë. Dega në Berlin e kësaj agjencia ka tërhequr vërejtjen se ideologjia e tyre është pothuajse identike me atë të rrjetit terrorist, Al Qaeda.

Debati për atë se si duhet të përballet shoqëria me “agjitatorët islamikë” është intensifikuar, pasi që Arid Uka, njeriu që vrau dy ushtarë amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, në vitin 2011, u dënua me burg të përjetshëm më herët gjatë muajit. Është raportuar se Arid Uka ka pasur lidhje me salafistët.

Autoritetet gjermane, duke filluar nga ata lokal, ata shtetëror, e deri te ministri i Brendshëm. Hans Peter Friedrich, nuk e dinë se si të sillen dhe të trajtojnë salafistët. Deri me tani, strategjia e tyre ka qenë që ata të vëzhgohen nga afër, të lëshohen vërejtje dhe në rast nevoje, të ndalohet veprimtaria e tyre. Por deri me tani, nuk ka pasur përpjekje efektive për të kuptuar se pse të rinjtë po vërshojnë në tubimet e organizuara nga Adhim dhe Vogel.

Adhim mohon çfarëdo lidhje me militantët islamikë. Agjencia për mbrojtjen e kushtetutës e përshkruan atë si një prej figurave udhëheqëse të lëvizjes salafiste në Gjermani, por gjithashtu edhe si një njeri, i cili synon që synimet e veta t’i realizojë me fjalë, e jo me dhunë. Adhim ka qëndrim kritik ndaj imamëve, të cilët ligjerojnë në xhamitë tradicionale, të cilët zakonisht janë mbi 50 vjeçar dhe të cilët në Gjermani kanë shkuar nga shtetet tjera, duke theksuar se ata nuk kanë njohuri për jetën e myslimanëve të ri në Gjermani. Ai thotë se ata ligjërojnë kryesisht në gjuhën turke dhe arabe.

Adhim ka lindur në Maroko dhe në Gjermani ka shkuar në moshën 19 vjeçare, për të studiuar në Berlin. Ishte vëllai i tij i vjetër, i cili e bindi të hyjë në religjion. Tani, edhe pse punon si inxhinier, Adhim thotë se synimi i tij është përhapja e islamit. Ai është i martuar me një gjermane, që është konvertuar në myslimane dhe ka katër fëmijë. Çdo të diel, Adhim ja shpjegon Kuranin të rinjve në xhaminë Al Nur.

Imami gjerman, Vogel, ka qenë boksier, para se të konvertohej në islam. Vogel e quan vetën Abu Hamza. Ithtarët e Vogëlit pajtohen me të se është mirë të jesh mysliman i devotshëm.

Ai ftohet në pothuajse të gjitha televizionet gjermane, kur temë e debatit është religjioni. Ai thotë se myslimanët po trajtohen në mënyrë të padrejtë dhe flet për një “Holokaust” kundër myslimanëve.

Adhim nga ana e tij, gjatë ligjëratave para besimtarëve dënon terrorin dhe dhunën.

Në ndërkohë, Berlini ka përqafuar një qasje unike deri me tani: politikanët po bashkëpunojnë me imamët karizmatik, në kuadër të projekteve për integrim. Adhim së fundi ka mbajtur një fjalim, në tubimin me moton “Dorë për dore kundër dhunës”, të sponzoruar nga xhamia në Berlin dhe nga qeveria e Berlinit.

Adhim krenohet me faktin se qeveria kishte nevojë për ndihmën e tij. Por më pas, ai e thotë një gjë, që të shtyn të mendosh:”Beteja për mendjet e myslimanëve sa po ka filluar”.

(Der Spiegel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›