E Diel, 1 Nëntor 2026

Mario Testino: Kam fotografuar gratë më të bukura të botës

Është fotografi më i famshëm i modës në botë, i njohur mbi të gjitha për fotot e familjes mbretërore britanike dhe njerëzve të famshëm të Hollivudit. Nga Express më 31 korrik 2011 në ora 20:47

Ai vetëm ka fotografuar dhe e ka pak të vështirë të fotografohet. Megjithatë, Mario Testino, 57 vjeç, peruan, i qeshur dhe plot bujari, siç e përkufizoi Gisele Bundchen, modelja të cilën e prezantoi dhe e bëri të famshme në pasarelat ndërkombëtare, është i hapur për gjithçka. Djali i një italiani dhe irlandezeje, i cili jeton prej shumë vitesh në Londër, është fotografi më i dashur dhe më i paguar nga yjet. Forca dhe suksesi i tij lidhen në mënyrë proporcionale me kapacitetin për të bërë të ndihet mirë këdo që pozon para aparatit të tij. “Kur i kërkova Lady Dianës, një grua e çuditshme, të ulej në divan, e bëri në një mënyrë si të detyruar e me forcë. Atëherë i thashë: princeshë, po ju kështu uleni gjithmonë edhe në shtëpi? U shkri së qeshuri, pastaj u rehatua. Kur i bëra foton në mënyrë aq të natyrshme, të gjithë mbetën të kënaqur”. Histori të tilla, Mario ka shumë për të treguar, por koha për të është e çmuar, ndaj mundohet të mos e shpenzojë kot. Megjithatë, disa nga fotot e tij janë vërtet kryevepra. Jennifer Aniston, nudo, që mban veshur vetëm një palë çizme të zeza, e buzëqesh duke kryqëzuar këmbët. Kirsten Dunst, me veshje të shekullit të 18 dhe bizhuteri shndritëse, ka shikimin e Maria Antonetës, personazhi që ka interpretuar në filmin me të njëjtin titull të Sofia Coppola, në vitin 2005. Bashkë me to janë edhe Gwyneth Paltrow, Demi Moore, Naomi Campbell, Kate Winslet, Claudia Schiffer: nudo apo të veshura, por gjithnjë shumë të bukura. Në Pallatin Ruspoli në Romë është hapur një galeri me kryeveprat bashkëkohore të Testino-s: sytë e vizitorëve shikojnë çdo cep të fotove të vendosura në mur. Aty 54 fotot më të bukura të fotografit peruan, që ka lindur në Lima, në vitin 1954 nga baba italian dhe mama irlandeze, do të qëndrojnë deri më 23 nëntor të ekspozuara për publikun. "Todo o Nada" është emri i ekspozitës. Është një projekt i realizuar në bashkëpunim me “Fendi”-n, “Gucci”-n dhe “Valentino”-n: tri firma të mëdha për të cilat Testino ka punuar me dashuri dhe ka shkrepur foto të pavdekshme. “Kjo ekspozitë është eksplorim i një pjese të punës sime, asaj që më tërheq dhe frymëzon”.

Ju keni ardhur nga Peruja në moshën 18-vjeçare në Britaninë e Madhe, ku u regjistruat në një kurs fotografie. Jeta në Londër është e bukur por nevoja për para është e madhe: punonit në një restorant dhe jetonit në një pension të vjetër...Kush e bëri revolucionin në jetën tuaj?

Në të vërtetë, ka qenë një progres gradual në shumë drejtime. Kam punuar shumë dhe shpesh me të njëjtët persona, me të cilët bashkëpunoj edhe sot. Është një fat i mirë, edhe pse më është dashur të ngjis shumë shkallë: fotoja ime e parë për “Vogue” e publikuar në vitin 1980, fushatat publicitare të “Versace”-s me Madonna-n, kopertina e “Vogue”, portreti i Lady D.

Ju e konsideroni veten më me fat apo më të zotin se të tjerët?

Mendoj se kam qenë me fat që kam bërë disa takime dhe për faktin se punoj me njerëz që më kanë frymëzuar. Pastaj kësaj i shtohet edhe kapaciteti im për t’i bërë punët në mënyrën e duhur dhe ashtu siç i pëlqejnë të tjerët. Përpiqem të ndjek instinktin dhe të mbaj gjallë mendjen dhe trupin, duke ndjekur rrugën që më intereson më shumë.

Shumë persona thonë se suksesi juaj lidhet edhe me faktin se i kuptoni mirë njerëzit...

Le të themi që më pëlqen të takoj dhe të kuptoj njerëzit. Të qenit human më mrekullon. Është një veti që të gjithë duhet ta kemi.

Thonë se ju jeni më shumë i lidhur me paratë se sa me artin...

Shumë artistë janë edhe të pasur. Por nuk është ky problemi. Unë shkrep gjithmonë foto, kudo shkoj, dhe pjesa më e madhe e tyre nuk publikohet. Bëj foto duke shëtitur nëpër qytet, në ngjarjet ku jam i ftuar, modeleve të panjohura, njerëzve në situata që më duken interesante. Kam shumë foto artistësh që askush nuk i ka parë, miq dhe familjarë. Fotografia është pasioni im, paratë jo. Nuk kanë qenë kurrë shtysa për të bërë gjëra të bukura në punën time.

A mund të na thoni foton tuaj të preferuar?

Është e pamundur të shprehësh një preferencë: çdo foto ka historinë e saj se përse është shkrepur.

Ju u zgjodhët si autor i fotos zyrtare të fejesës së William e Kate para martesës së shekullit: një foto e freskët dhe spontane. Ndonjë detaj?

Para së gjithash, ishte nder për mua. Pastaj ishte bukur të shihje dy të rinj aq të lumtur e të dashuruar me njëri-tjetrin.

Nga martesa në martesë. Pak javë më parë, mikesha dhe muza juaj Kate Moss iu kërkoi të ishit fotografi zyrtar i dasmës së saj. Ishte më e vështirë të fotografonit Kate modele apo Kate princeshën?

Të gjithë ata që fotografoj janë të ndryshëm dhe unikë në mënyrën e tyre: në fund të fundit, është natyra e njeriut. Pastaj është detyrë e fotografit të përshtatet me situata të ndryshme dhe të japë më të mirën. Kate Moss është mikesha ime më e mirë. Kemi punuar bashkë për shumë vite me radhë. Libri im i fundit "Kate Moss by Mario Testino", nuk është gjë tjetër veçse një përmbledhje fotografish që i kam shkrepur ndër vite. Ta fotografosh e të punosh me të është sikur të kalosh kohën, duke biseduar me një mik të mirë.

Ndonjë personazh që nuk e keni fotografuar ende?

Jam gjithmonë në kërkim të dikujt që nuk e kam takuar kurrë më parë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›