Fshati Bare bëhet me shtëpi të kulturës
Është vënë gurthemeli për ndërtimin e shtëpisë së kulturës në fshatin Bare të Shalës së Bajgorës. Ky projekt vlerësohet shumë me rëndësi për banorët e këtij rajoni.
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, tha se Komuna do të vazhdojë të investojë në krijimin e kushteve për aktivitete kulturore edhe në zonat rurale. “Përveç në qytet, ne do të investojmë që të rinjtë të kenë kushte për aktivitete rinore dhe kulturore edhe në fshatra”, ka tha ai. Ndërsa drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani, tha se në Bare shtëpia e kulturës ka funksionuar prej vitit 1946, mirëpo objekti i saj ishte shkatërruar dhe djegur në luftën e fundit.
Sipas tij, prej përfundimit të luftës biblioteka është duke funksionuar në një kontejner, ndërsa pas ndërtimit të shtëpisë së kulturës, ajo të vendoset në objektin e ri. “Fshati Bare ka qenë një qendër për Shalën e Bajgorës, ku pos këtyre objekteve kulturore, mandej ambulancës që edhe tash funksionon, ka pasur edhe fabrikë”, ka thënë Osmani.
Përveç në Bare, sipas tij, në rajonin e Shalës, përkatësisht në Trepçë ka funksionuar deri në luftë edhe kinemaja, objekti i së cilës po ashtu tash është i shkatërruar. Për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës me hapësirë prej 300 metrash katrorë, drejtoria e Kulturës ka ndarë 125 mijë euro.
Punët është duke i kryer kompania “Erconstruktion”, ndërsa planifikohet që të kryhen brenda 60 ditësh”.