Zemra e Sarajevës
Aktorja e Hollywood’it, Angelina Jolie, pothuajse sa nuk qau derisa e mori çmimin special “Zemra e Sarajevës”, gjatë një vizite të paparalajmëruar, të shtunën mbrëma, së bashku me partnerin e saj Brad Pitt, në Festivalin e Filmit të Sarajevës.
“Do të filloj të qaj nëse nuk ndaleni”, i tha audiencës aktorja e shpërblyer me Oscar, e cila mori brohoritje të gjatë në Teatrin Kombëtar të qytetit të Sarajevës.
Jolie e ka përzgjedhur luftën e Bosnjës të vitit 1992-95 si ambient për filmin e saj të parë si regjisore. Filmi i saj “In the Land of Blood and Honey” (Në tokën e gjakut dhe mjaltit) pritet të dalë në dhjetor.
Ajo gjithashtu e ka vizituar Bosnjën si ambasadore e vullnetit të mirë për agjencinë e Kombeve të Bashkuara për refugjatë UNHCR dhe ka financuar ndërtimin e disa shtëpive për të kthyerit në Bosnjën lindore.
Drejtori i festivalit Mirsad Purivatra e ka prezantuar aktoren Jolie me shpërblimin në formë zemre, kur ajo u paraqit në ceremoninë përmbyllëse.
“Sonte po ia japim çmimin e nderit Zemra e Sarajevës një artisteje të madhe, jo vetëm për ndikimin e madh që ka ajo në botën e kinemasë, por gjithashtu edhe për angazhimin e saj këmbëngulës dhe aktiv në ndërlikimet e botës së vërtetë në të cilën jetojmë”, tha Purivatra.
Jolie, e veshur me një fustan të gjatë ngjyrë pjeshke, qëndroi në skenë me sytë të mbushur me lot, duke pritur që duartrokitjet të ndaleshin.
“I kam thënë Brad-it në veturë se frikohesha se do të qaja”, tha ajo, duke iu dridhur zëri.
Filmi i saj flet për historinë e një lidhjeje të dashurisë ndërmjet një femre boshnjake dhe një serbi, të cilët kanë qenë në anët e kundërta luftuese gjatë konfliktit.
Ajo kishte planifikuar të xhirojë pjesë të filmit në Sarajevë dhe kishte angazhuar një ekip lokal. Por i ishte dashur të largohej për në Budapest pasi disa femra viktima të dhunës seksuale i kundërshtuan detajet e fabulës dhe autoritetet boshnjake e anuluan lejen e xhirimit.
“Jam shumë e nderuar që jam këtu në këtë festival”, tha Jolie pas pranimit të shpërblimit. “Nuk ka shembull më të madh të fuqive të artistëve dhe festivalit që filloi gjatë luftës dhe u rrit më i fuqishëm për çdo vit”.
Festivali i Filmit i Sarajevës ka filluar në fund të rrethimit 43-mujor të kryeqytetit boshnjak nga forcat serbe të Bosnjës.
Jolie e prezantoi aktorin austriak Thomas Schubert me shpërblimin për aktorin më të mirë për rolin e tij në filmin ‘Atmen’, të xhiruar nga Karl Markovics.
Filmi ‘Atmen’, që flet për kundërvajtës të ri që është në kërkim të nënës së tij, gjithashtu është shpallur filmi më i mirë në festival.
Aktorja rumune Ada Condeascu e ka fituar çmimin për aktoren më të mirë për rolin e saj në filmin ‘Loverboy’. (Reuters)