E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dezertorëve” nuk do t’u jepet statusi i “Veteranit të UÇK-së”

Prishtinë, 4 gusht – Nëse keni qenë pjesëtar i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës (UçK) dhe keni “dezertuar” gjatë luftës, nuk do të mund ta merrni statusin e veteranit të kësaj ushtrie. Po kështu, as nuk do të jeni përfitues i beneficioneve që nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të ofrohen për veteranët. Statusi që do të keni është vetëm “Pjesëtar i UçK-së”,
I këtillë kategorizim është bërë në Projektligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UçK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre, që tashmë është finalizuar, e që në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë do të qitet për miratim, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me këtë projektligj, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore” të martën, “Veteran i UçK-së” konsiderohet “qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UçK-së dhe është regjistruar si ushtar nga komandat (shtabet e zonave operative të UçK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UçK-së) brenda periudhës 30.12.1991 deri më 12.06.1999”. Ndërkaq, precizohet se “Pjesëtar i UçK-së” është “qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj, i cili është radhitur në radhët e UçK-së dhe është regjistruar si ushtar nga komandat (shtabet e zonave operative të UçK-së, përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UçK-së), dhe të cilët kanë lëshuar radhët e UçK-së para datës 12.06.1999, pa marrë parasysh kohën sa kanë shërbyer në UçK”.
Varësisht nga njohja dhe rregullimi i statusit, kategorive të trajtuara në këtë Projektligj do t’u sigurohet mbështetje financiare dhe benefite të caktuara  për kontributin e dhënë në luftën e UçK-së. Pa to do të mbeten “dezertorët”.
Neni 12 i Projektligjit flet për të drejtat e veteranëve të UçK-së. Në alinenë e pestë të tij precizohet se “personat, të cilët kanë qenë të organizuar si pjesëtarë të UçK-së, të cilët para datës 12 qershor 1999 kanë lëshuar radhët e UçK-së pa urdhër të komandës kompetente të UçK-së, nuk mund të realizojnë asnjë të drejtë apo të kenë status të rregulluar sipas dispozitave të këtij ligji”. Përjashtim përbën vetëm lirimi nga taksat gjyqësore dhe administrative, përparësia që kanë në vendosje në konvikte dhe lirim nga pagesa në trafikun urban dhe ndërurban në sektorin publik dhe privat.
Ata që do të marrin statusin e veteranit kanë të drejtën në pension personal të luftës posa ta mbërrijnë moshën 50-vjeçare. Baza e pensionit personal të luftës për veteranët e luftës së UçK-së, e të cilët nuk janë të punësuar, është paraparë të jetë 80 për qind e pagës minimale në Kosovë. Ndërkaq, shtesa e pensionit për ata që janë të punësuar apo të vetëpunësuar në biznese private është 40 për qind e pagës minimale. Veteranët e punësuar-vetëpunësuar, me rastin e pensionimit të tyre në moshën 65-vjeçare do ta realizojnë të drejtën në pension personal të luftës.
Të tjera benefite ka paraparë Projektligji. Midis tyre, stazh të dyfishtë për kohën e kaluar në luftë; përkujdesje shëndetësore primare, sekondare dhe terciare pa kompensim në institucionet publike shëndetësore; përparësi në punësim në kushte të barabarta; përparësi regjistrimi dhe pranimi në  institucionet arsimore publike; përparësi në bursë për shkollim të mesëm dhe universitar; lirim nga tatimi në pronë për objektet e banimit; aftësimin dhe riaftësimin profesional; si dhe kompensim të shpenzimeve të varrimit së bashku me nderimet ushtarake.
Të drejta në pension dhe beneficione janë paraparë edhe për familjet e dëshmorëve dhe të  të zhdukurve të UçK-së. Baza e pensionit familjar është paraparë të jetë 220 për qind nga paga minimale e realizuar në Kosovë, kurse baza e pensionit familjar për familjen nga e cila ka rënë dëshmorë më shumë se një anëtar është paraparë të rritet prej 50 për qind për familjet që kanë dy dëshmorë, deri në 250 për qind për ato familje që kanë dhënë më shumë se 4 dëshmorë.
Edhe këto kategori, krahas të drejtës në pensionin familjar, do të kenë disa përparësi, sikurse të veteranëve të UçK-së. Pos tyre, edhe  përkujdesjen  për strehim familjar; vendosjen pa kompensim në shtëpitë e personave të moshuar; si dhe lirimin nga shpenzimet e administratës në shkollimin universitar publik.
Në Projektligj është paraparë që këto të drejta t’i realizojnë edhe të gjitha familjet e dëshmorëve të kombit, të rënë në forma të ndryshme për lirinë e vendit nga data 9 maj 1945 deri më 30 dhjetor 1991.
Ndërkaq bashkëshorti ose bashkëshortja që lidh martesë të re i humb të drejtat e përcaktuara, të cilat i ka shfrytëzuar si anëtar i familjes së dëshmorit apo të të zhdukurit. Po kështu, edhe fëmijët e dëshmorit apo të të zhdukurit të UçK-së, pas moshës 18-vjeçare, përkatësisht  pas moshës 26-vjeçare nëse janë  në shkollim të rregullt.
Në këtë Projektligj parashihet edhe e drejta në pensionin invalidor personal, e drejta në pensionin invalidor familjar pas vdekjes së invalidit dhe shtesa për përkujdesje dhe ndihmë personit tjetër për invalidët e UçK-së me shkallë invaliditeti prej 81 për qind deri në 100 për qind.
Në 8 grupe janë kategorizuar invalidët e UçK-së, ashtu sipas shkallës së dëmtimit trupor. Baza e pensionit invalidor personal është 220 për qind e pagës minimale të realizuar në Kosovë, në vitin paraprak. Vetëm ata invalidë me shkallë të invaliditetit mbi  80 për qind do ta realizojnë  pensionin në lartësi 100 për qind nga baza e tij. Varësisht prej shkallës së invaliditetit, pastaj do ta realizojnë të drejtën e  pensionit nga 80 për qind deri në 42 për qind, sa do të marrin invalidët me dëmtim trupor  prej 20 për qind deri në 30 për qind. Ata që kanë shkallë më të ulët invaliditeti se 20 për qind, nuk do të gëzojnë pensionin invalidor personal.
Edhe për ta Projektligji precizon benifite të tjera. Pos atyre që kanë veteranët dhe familjet e dëshmorëve, dhe kompensimit për sigurimin e mjeteve ortopedike, parashihet edhe rehabilitimi shëndetësor dhe fizikal, si dhe përshtatje e ambientit për lëvizje të mjeteve ortopedike pa pengesa në hyrje të objekteve banesore dhe institucioneve publike.
Në Projektligj është përfshirë edhe kategoria “Viktimë civile e luftës”. Me të nënkuptohet “personi i cili është vrarë apo është plagosur nga forcat e armikut, e më vonë ka vdekur brenda periudhës 27.02.1998 deri me 20.06.1999, si dhe personat që kanë pësuar nga minat dhe mjetet e tjera shpërthyese të mbetura pas përfundimit të luftës”.
Edhe anëtarët e familjes së viktimës civile të luftës, sipas Projektligjit, realizojnë pensionin familjar. Baza e pensionit është paraparë të jetë 100 për qind nga paga minimale në Kosovë. Kjo bazë rritet nga 20 për qind për familjet që kanë humbur dy anëtarë në luftë dhe shkon deri në 50 për qind për ato familje që kanë humbur më shumë se katër anëtarë.
Të drejtën e marrjes së pensionit do ta kenë edhe anëtarët e familjes të marrë peng apo të zhdukur në periudhën e luftës.
Krahas pensionit, benefite të tjera që do të kenë këto kategori janë: përkujdesje shëndetësore primare dhe sekondare pa kompensim në institucionet shëndetësore publike; lirim nga tatimi në pronë, nëse familja është në gjendje të rëndë materiale; tarifë të lirë dhe të reduktuar të konsumit të energjisë elektrike, nëse familja është në gjendje të rëndë materiale; tekste shkollore falas për arsimin fillor dhe të mesëm për fëmijët; vendosje në konvikte pa kompensim; dhe përparësi për regjistrim dhe pranim në institucione arsimore publike.
Po kështu, këto beneficione do t’i kenë edhe invalidët civilë të luftës. Të drejtën në pensionin invalidor civil të luftës do ta realizojnë personat me shkallë të invaliditetit prej 40 për qind deri në 100 për qind, varësisht se cilës prej katër a pesë shkallëve do t’i takojnë.
Baza e pensionit invalidor civil është paraparë të jetë 100 për qind e pagës minimale në Kosovë. Për personat me shkallë më të ulët invaliditeti, lartësia e pensionit që do të marrin do të ulet deri në 50 për qind.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›