E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE nuk ka hequr dorë nga rezoluta për Kosovën

Bruksel, 4 gusht – Nuk është e vërtetë as që BE-ja ka hequr dorë nga ideja që të propozojë rezolutën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së rreth Kosovës, e as që ajo tashmë e ka dorëzuar këtë projektrezolutë. Këtë ia kanë thënë “Kohës Ditore” disa burime diplomatike të vendeve të Bashkimit Evropian duke nënvizuar se „nuk përjashtohet asnjëra nga tri idetë“ rreth kësaj. Ideja e parë ka qenë që, me një kompromis me Serbinë, BE-ja dhe Serbia bashkërisht të dalin me një rezolutë të paqartë, e cila do t’i linte të kënaqura dhe „faqebardhë“ të gjitha palët. Por kjo ide është gjithnjë e më pak e mundshme. Së pari, Serbia para se të shpallej Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kishte refuzuar ofertën që bashkërisht me ekipin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton, ta draftojë propozimrezolutën. Kjo ofertë ka qenë në tavolinë para shpalljes së Mendimit të GJND-së, duke menduar se ky mendim do të jetë neutral. Serbia, e bindur se mendimi do të jetë pozitiv për Serbinë, e kishte refuzuar këtë ofertë. Më pas, edhe pash shpalljes së Mendimit të GJND-së, BE-ja ishte e gatshme për kompromis me Serbinë, për t’i ofruar Serbisë „dorën në këto momente të vështira për klasën politike në pushtet, e cila pësoi disfatë kaq të rëndë“. Por Serbia edhe më shumë irritoi vendet kryesore të BE-së, duke e dorëzuar në OKB tashmë propozimrezolutën e saj në kohën kur rreth të njëjtës konsultohej me disa vende të BE-së. Në këtë mënyrë Serbia pothuajse e ka mbyllur derën që të ketë kompromis me vendet e BE-së dhe që të evitohet konfrontimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me vendet kryesore të BE-së. Megjithatë disa vende që janë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, kryesisht Greqia dhe Spanja, po bëjnë çmos që ta shpëtojnë Serbinë. Përderisa sjellja e Greqisë duket konstruktive në shikim të parë, Spanja përsëri, sipas burimeve diplomatike, i është kthyer sjelljes agresive kundër Kosovës dhe në mbështetje të qëndrimit të Serbisë duke u bërë përsëri si pengesa kryesore për arritjen e një qëndrimi të përbashkët të BE-së. Por edhe opsioni i kompromisit me Serbinë nuk përjashtohet tërësisht nga BE-ja megjithëse nuk duket më i besueshëm.
Problemi me kompromisin me Serbinë qëndron në faktin se shtetet kryesore, si Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, e në një masë edhe Italia, e konsiderojnë si shumë të dëmshëm tekstin e propozuar nga Serbia. Madje disa diplomatë thonë se „ky tekst është edhe ofendues për shtetet që e kanë njohur Kosovën“ edhe pse Serbia, me disa trika, duke llogaritur se vendet e BE-së nuk do ta lexojnë me vëmendje tekstin e tyre, është orvatur të lërë përshtypjen se teksti është „i balancuar“. „Ne e kemi të qartë se ky tekst është krejtësisht i papranueshëm, sepse e trajton çështjen e statusit të Kosovës si diçka të pazgjidhur. Kosova për 22 vende të BE-së është shtet i pavarur dhe nuk ka më kthim prapa. Këtë e ka bekuar tash edhe GJND-ja dhe ne nuk mund të të pranojmë që të negociohet për statusin e Kosovës më“, i thanë “Kohës Ditore” disa diplomatë të vendeve të BE-së.

Ideja e dytë, njëherësh edhe ajo rreth së cilës më së shumti diskutohet në BE, është ajo që 27 shtetet e BE-së të dalin me një propozimrezolutë të tyre. Ky është një opsion i dëshiruar, sepse do ta paraqiste BE-në si një organizatë unike, e cila di të veprojë si e bashkuar në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, dhe e cila në skenën botërore, siç është Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, do ta dëshmonte një unitet të tillë. Këtë ide e promovojnë më së shumti Britania e Madhe dhe Franca, mbështetur nga Gjermania dhe Italia, por edhe shumë shtete që e kanë njohur Kosovën. Në anën tjetër, është hasur në probleme të mëdha nga ana e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Spanja ka qëndrimin më të ashpër në këtë drejtim. Koordinimet rreth kësaj janë duke u bërë nga ambasadorët e vendeve të BE-së në OKB.
Nëse opsioni i paraqitjes së BE-së me një qëndrim të përbashkët nuk do të jetë i mundur, atëherë nuk përjashtohet opsioni i tretë, ai që vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën, me mbështetje nga ana e disa shteteve të tjera që nuk janë anëtare të BE-së, të dalin me propozimin e përbashkët. Ky opsion nuk pëlqehet dhe do të bëhen përpjekje maksimale që të mos ndodhë ky opsion. BE-ja më shumë sesa konfrontimit me Serbinë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator druan nga turpi i konfrontimit në mes të vetë shteteve anëtare të BE-së, pasi që disa shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, si Spanja, Qiproja, Sllovakia e Rumania, në vend që t’i bashkohen qëndrimit të shumicës së BE-së do të rreshtohen krahas shteteve që mbështesin Serbinë, si Rusia, Irani, Libia, Venezuela, Maroku etj. Por në çdo rast, në BE thonë se Serbia po rrezikon që, pas disfatës në GJND, të prishë edhe gjasat e saja për të hapur rrugën e integrimeve në BE, duke u konfrontuar me vendet kryesore anëtare. „Serbia duhet ta dijë se fati i saj për të ardhmen në BE vendoset nga shtetet anëtare të BE-së e jo nga shtete në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së“. Në BE po ashtu hedhin poshtë  spekulimet se po bëhen përpjekje të përbashkëta me Kosovën për të paraqitur propozimrezolutën në Asamblenë e OKB-së. „Ne nuk kemi nevojë të koordinohemi me Kosovën, sepse Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Por ajo që ne dëshirojmë shkon në favor të Kosovës“, thotë një diplomat i BE-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›