E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Etno fest” me festë

“Etno Fest”, festivali i cili filloi me datën 26 në fshatin Kukaj, është duke vazhduar me këngë e valle nga ansamble të ndryshme të Kosovës dhe me shfaqje e ekspozita, duke bërë kështu që festivali pavarësisht motit të ligë të përcjellët nga audienca. Nga Albana S. Muja më 29 qershor 2011 në ora 12:13

Disa herë ngatërruam rrugën, derisa arritëm në majën e lartë, tek vendi i duhur. Më në fund arritëm në një lartësi mbidetare rreth 1000 metra, u rrethuam nga një natyrë e jashtëzakonshme. Gjelbërimi të merrte syrin ngado që shikoje, gjithçka dukej bukur.
Kuptuam që iu afruam vendit, ngaqë dëgjoheshin tinguj të muzikës shqip. Arritëm në fshatin Kukaj dhe pikërisht në hapësirën ku nga data 26 qershor ka filluar festivali “Etno Fest”.

Vallja e kënga nuk pushuan deri në orën 20:00, për t’i lënë radhën shfaqjes “Dardha pas bunarit” të regjisores Iliriana Arifi, tekstin e së cilës e ka shkruar dramaturgia Arta Arifi, shfaqje kjo e cila zgjoi interesim të veçantë tek audienca, e gjithë kjo në natën e dytë të festivalit, ndonëse nata vazhdoi edhe me shfaqje tjera.

Fadil Hysaj, themelues dhe drejtues i kësaj hapësire, ku po mbahet festivali, theksoi që dy ditët e para kanë qenë përtej asaj që është paramenduar. “Ka pasur shumë shikues, kanë qenë aq të mira ansamblet, njerëzit ishin të entuziazmuar deri në atë masë që kanë qëndruar deri në orët e vona, për t’i parë të gjitha programet, edhe pse klima ishte e ftohtë”, theksoi Hysaj.

Nata e dytë vazhdoi edhe me dy shfaqje tjera: ajo studentore, një përpunim i “Othellos” së Shekspirit të regjisorit të ri Imer Veliut dhe shfaqja nga Tirana “Mbretëresha Teutë” e regjisores Rozi Kostani.

Përgjatë këtyre dy ditëve, Hysaj tha që për opinionin, e gjitha e festivalit ishte diçka e re dhe ai këtë e shpjegoi me anë të një krahasimi. “Në teatër zakonisht qëndrojmë një orë, dhe në klimë shumë të mirë, në kushte shumë komode, ndërsa këtu shumica e aktiviteteve janë jashtë edhe pse ka qenë shumë ftoftë, që unë kam menduar që njerëzit nuk do të vinë por ka ndodhur e kundërta”, tha ai.

Në natën e tretë janë pritur grupi i Hasit, për të kënduar e performuar me këngë e valle tradicionale, e më pastaj audienca ka pasur rastin të përcjellë shfaqjen “Cubi i kukurecit” të Iliriana Arifit.

Sot (e mërkure) programi do të përmbajë video projeksione, ekspozita e gjithashtu do të jetë shfaqja “Një përkujtim në kafe teatër” e regjisorit Haqif Mulliqi si dhe shfaqja e Zana Hoxhës, që është e ndërtuar mbi një rit tradicional. “Sot do të jetë kryesisht dita e rapsodëve dhe e instrumentistëve që kultivojnë muzikë të vjetër, kryesisht do të dominojë kultura e Shaqir Hotit”, tha Hysaj.

Hysaj, për këtë ambient, tha që është krijuar për t’iu përshtatur programeve të festivalit, duke bërë që të ketë ambiente për ekspozim, për shfaqje brenda dhe jashtë, ka një amfiteatër që kryesisht zë mbi 200 spektatorë, pastaj një teatër shumë i madh, ka një skenë ku mund të ulen deri në 400 apo 500 spektatorë. Ambientin e rrethojnë edhe dy shtëpi të vjetra, të cilat janë adaptuar për nevoja teatri dhe biseda dhe ndeja tradicionale. “Me këtë festival ne po mundohemi të rikthejmë së paku vëmendjen tek kultura e lashtë”, tha Hysaj, i cili shtoi se “shpresa është që ky festival të shtrihet vitin tjetër me përmasa rajonale, të ketë karakter ndërkombëtar dhe të jetë mundësia e pjesëmarrjes së trupave nga shtetet fqinje”. Gjithashtu është menduar që gjatë festivalit të merret ndonjë ekspozitë apo ndonjë rit nga vendet evropiane që e kultivojnë apo e ruajnë traditën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›