E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhevahir Spahiu rikthehet me poezinë e tij

Ali Podrimja dhe Xhevahir Spahiu, por dhe më i riu Ermir Nika, do të jenë poetët shqiptarë të Festivalit të Poezisë së vendeve të Mesdheut “Woix Vives”. Një takim ku ftohen poetët më të njohur, por edhe ata që klasifikohen si zërat e rinj të poezisë bashkëkohore. Poeti Xhevahir Spahiu rikthehet në skenën letrare pas një sëmundjeje të rëndë, të cilën ai duket se e ka mposhtur. Me poezinë e tij në Festivalin e Mesdheut, Xhevahir Spahiu përfaqëson brezin e poetëve shqiptarë më të rëndësishëm shqiptarë. Krahas tre poetëve shqiptarë, në festival janë ftuar edhe poetë nga rajone të tjera të botës, ku historia ka zhvilluar një kulturë mesdhetare, si vende frëngjisht-folëse nga Amerika e Jugut, Amerika Qendrore dhe Afrika Perëndimore. Poezitë e tre poetëve shqiptarë do të recitohen nga aktorë francezë. Ky manifestim i fjalës së bukur, që mbahet prej vitesh në Francë, mbledh poetë, kritikë, miq të poezisë së re dhe botues nga mbarë Europa. Organizatorët e festivalit të poezisë maratonën e fjalës së bukur do ta mbyllin me botimin e një antologjie të poetëve pjesëmarrës, ku përfshihen edhe poezitë e Ali Podrimjes, Xhevahir Spahiut dhe Ermir Nikës. Në këtë antologji Xhevahir Spahiu është cilësuar si poeti më i rëndësishëm bashkëkohor shqiptar, por gjithashtu po aq i njohur në fushën e gazetarisë dhe të përkthimit, veçanërisht në gjuhën greke dhe frënge. “Vepra e tij përfshin gjithashtu edhe disa botime për fëmijë. Poezitë e tij janë vlerësuar me çmime të ndryshme. ‘Nesër jam aty’ dhe ‘Kohë e krisur’ janë vlerësuar me çmimin ‘Migjeni’, akorduar nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë, respektivisht në vitin 1987 dhe në vitin 1991. Me çmime kombëtare janë vlerësuar edhe dy përmbledhjet e tij ‘Heshjte s’ka’ dhe ‘Ferrparajsa’. Që nga vitit 2008 Xhevahir Spahiu është anëtar i Akademisë së Shkencave” - shkruhet në antologjinë e poezisë mesdhetare. Ndërsa poeti Ali Podrimja cilësohet si poeti më i famshëm në Kosovë, i njohur edhe ndërkombëtarisht, duke e cilësuar si poetin më shprehës dhe më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare. “Ai është autor i qindra librave me poezi që nga vitit 1961. Në vitin 1982 publikoi përmbledhjen ‘Lum Lumi’, një moment historik jo vetëm në veprën e tij por gjithashtu edhe për Kosovën. I përkthyer në disa vende të Europës, ai është vlerësuar në Gjermani me çmimin ‘Nikolaus Lenau’ në vitin 1999. Poezia e tij zbulon aftësi të pamohueshme në stolisjen e peizazhit eliptik, e ndjellë përmes poezisë tradicionale shqiptare, metaforik, origjinal, i paparashikuar në strukturë dhe i mprehtë në rimë.”- prezantohet në këtë antologji poeti Podrimja. Një vit më parë në këtë edicion poezia shqipe u prezantua me poezinë e Arian Lekës dhe Afroviti Gushos.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›