E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, mbyllet festivali i 5-të kombëtar për Çamërinë

SARANDË- Ka ulur siparin Festivali i 5-të kombëtar i Këngës dhe Valles për Çamërinë, që u zhvillua për tre netë me radhë në qytetin e Sarandës.

Festivali dedikuar folkut të Çamërisë ishte për të pestin vit radhazi në qytetin bregdetar dhe në të morën pjesë mbi 1000 artistë, 30 ansamble e grupe artistike nga të gjitha trojet shqiptare.

Organizator i këtij eventi të rëndësishëm artistik në jug të vendit ishte Unioni Artistik i Kombit Shqiptar me president Azgan Haklajn, ndërkohë që u mbështet edhe nga PDIU.

Artistët pjesëmarrës përcollën mesazhin se trashëgimia kulturore e Çamërisë dhe e kombit shqiptar ruhet me mjaft dashuri tek brezi i ri, të cilët me përkushtim sollën vlerat e artit popullor dhe pasurive shpirtërore të trevave shqipfolëse.

Në fund, juria e festivalit vlerësoi me çmime të para Ansamblin "Krahu i Shqiponjës" Vlorë dhe grupin artistik të Konispolit, ndërkohë që janë vlerësuar me çmime të veçanta shoqëri të ndryshme artistike nga trevat shqiptare, solistë dhe instrumentistë pjesëmarrës në këtë aktivitet.
(e.m/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›