Reeker: Maqedonia të zgjidh çështjen e emrit
Maqedonia gjendet në udhëkryq mes të kaluarës dhe të ardhmes. Tash është momenti kur kryesia e vendit duhet ta njoh “mundësinë e hapur” dhe ta zgjedh kontestin e emrit, vlerësoi ambasadori i SHBA-së në Shkup, Philip Reeker.
Ai i sugjeron elitat politike ti tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe të punojnë për një të ‘nesërme më të mirë’ për qytetarët e Maqedonisë, të cilët i dhanë verdiktin për të sjellë vendime për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike dhe për më shumë prosperitet.
“Pas zgjedhjeve të 5 qershorit të cilat u realizuan shumë mirë, ne besojmë se tani është koha për ti dhënë fund negociatave me Greqinë, që po zhvillohen përmes Kombeve të Bashkuara”, tha Reeker.
Ai tha se ka shumë spekulime lidhur me mendimin e diplomatëve për çështjen e kontestit të emrit.
“E di se ka shumë spekulime për atë se çka mendojmë për këtë çështje që para tre viteve kur erdha këtu në Maqedoni. Të gjithë e dimë se në Maqedoni ka spekulime dhe shumë njerëzve u intereson se kush me kënd pinë kafe dhe çka mendojnë diplomatët për këtë çështje. Por mos bini pre e këtyre spekulimeve dhe atyre që thonë se e dinë mendimin tim. Porosia jonë rreth çështjes së emrit është e qartë, ashtu sikur edhe për çështje të tjera”, deklaro Reeker.