E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi religjioz i Sislej Xhafës në Kanada

Kur mungon kreativiteti në politikë, ekonomi dhe dominon papunësia, i vetmi treg që ofrohet është “turizmi religjioz”. Ky është mesazhi që përçon vepra “Padre/Father/Baba/Padre Pio” e Sislej Xhafës, e cila ekspozohet në Galerinë e Artit Bashkëkohor në Toronto të Kanadasë. “Reaview Mirror” titullohet ekspozita, e cila është vendtakim i gjeneratës së re të krijuesve të artit nga Europa Qendrore dhe nga ajo Lindore, që do të hapet në ditën e parë të korrikut. Hulumtimet e 22 artistëve në të kaluarën dhe pikëvështrimet e tyre për të ardhmen janë “çelësi” që lidh artistët në ekspozitën e realizuar nga kuratori Christopher Eamon. Ky i fundit është i njohur si kurator i një numri të madh të ekspozitave ndërkombëtare dhe autor i shkrimeve të shumta për artin. Emrat më me zë të artit bashkëkohor, duke përfshirë Rawel Altamer, Roman Ondak, Anneta Mona Chisa, Ivan Moudov, janë pjesë e ekspozitës, e cila ka për qëllim të shpërfaqë evolucionin në vende të ndryshme europiane. Xhafa ka zbërthyer mesazhin e veprës “Padre/father/baba/Padre Pio...”, e cila për protagonist ka të shenjtëruarin Padre Pio. “Me anë të kësaj vepre kam dashur t’i jap respekt dhe në të njëjtën kohë të shtroj pyetjen: Pse kur mungon kreativiteti në politikë, ekonomi dhe papunësia është e madhe, i vetmi treg që ofrohet është ‘turizmi religjioz’. Autoritetet e keqpërdorin religjionin dhe e propozojnë si turizëm”, ka shpjeguar Xhafa mesazhin e veprës së tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›