“Kosovës së Re”, 7 vjet kohë për t’u përfunduar
Derisa drejtues të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave thonë se projekti energjetik “Kosova e Re” nuk mund të fillojë pa miratimin e tenderit nga ana e qeverisë, ekspertë të energjetikës vlerësojnë se ky projekt duhet të fillojë sa më shpejt, sepse konsiderojnë se është humbur shumë kohë, ngase edhe me fillimin e punimeve projekti nuk mund të përfundojë para 7 vjetësh.
Ministrja në largim e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, ka thënë për Kosovapress, se zyra e projektit ekziston dhe sa i përket ministrisë ajo është duke u punuar në këtë drejtim, por i mbetet qeverisë së ardhshme që ta miratojë tenderin për projektin
“Zyra e projektit ekziston ne si ministri jemi duke punuar në atë projekt, mirëpo ne nuk mundemi të finalizojmë, tenderin përfundimtar, për shkak se tenderi duhet të përfundojë, të miratohet në qeveri, e pastaj t’u ofrohet ofertuesve, apo kompanive, të cilat kanë tenderuar, që do të thotë se nëse çdo gjë finalizohet, nuk mundemi me iu dhënë ofertueseve për shkak se ai duhet të miratohet në qeveri dhe nga të gjithë ministrat”, ka thënë Pula-Shiroka.
Eksperti i çështjes së energjisë, Avni Kurshumliu, e konsideron të vonuar fillimin e zbatimit të projektit, dhe sipas tij nuk është dashur të lejohen këto vonesa. Ai thotë së qeveria është dashur që me politikat e veta ekonomike ta bëjë programin ekonomik, se si do të ndërtohet Termocentrali Kosova e Re.
“Praktikisht, me aprovimin e strategjisë 2 herë 300, prej asaj kohe tani vazhdimisht jemi në vonim nuk është dashur lejuar këtë vonim, pasi që është bë përzgjedhja e katër konzorciumeve, të cilat e kanë shfaqur interesin për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re. Tani ka qenë çështja e qeveris që me politikat e saj të gjejë një zgjidhje për të investuar së bashku me Shqipërinë, rast që unë e konsideroj që është lëshuar, për shkak se Sali Berisha pat ofruar 400 milionë të bankës BERZH për ndërtimin e 600 megavatëve së bashku me Kosovën, ajo shans tashmë është lëshuar. Tani qeveria është dashur që me politikat e veta ekonomike ta bëjë programin ekonomik si do të ndërtohet Termocentrali Kosova e Re 2 herë 300, dhe me çfarë kushtesh”, ka potencuar Kurshumliu.
Ai vlerëson se zbutja e nevojave të konsumit për energji do të bëhej me një bashkëpunim me Shqipërinë. Sipas Kurshumliut, kjo do t’i ndihmojë Kosovës në sigurimin e energjisë, ndryshe në të ardhmen do të ketë mungesë të energjisë elektrike. Për më tepër, ai thotë se edhe nëse fillohet me punimet e termocentralit “Kosova e Re”, projekti nuk mund të përfundojë para 7 vjetësh.
“Ndërtimi i projektit energjetikë “Kosova e Re” 2 herë 300, duhet të bëhet sa më parë. Do të thotë 600 megavatë do të zëvendësonin “Kosovën A”, dhe të ketë një tepricë, prandaj duhet sa më parë të fillohet. Këtë e theksoj, sepse i njoh rrethanat e pajisjeve energjetike. Llogaritjet që “Kosova e Re”, të hyjë në punë në vitin 2014, janë iluzione, nuk ka shans, para 7 viteve nuk ka mundësi të ndërtohet asnjë objekt. Prandaj duhet të llogaritet prej momentit kur fillon temeli i ndërtimit 7 vjet nevojiten që të lëshohet në funksion”, ka thënë Kurshumliu.
Ndërkaq edhe eksperti, Naim Hoxha e konsideron të zvarritur fillimin e realizimit të projektit energjetik “Kosova e Re”.
“Projekti “Kosova e Re” është një prej projekteve fundamentale të një infrastrukture themelore, e cila i nevojitet Kosovës për një zhvillim të mëtutjeshëm. Vonesa në përcaktimin e koncepteve po i kushton dhe do t’i kushtojë shumë Kosovës në të ardhmen. Nuk jam ithtar i ndonjë ngutimi dhe nxjerrjes së ndonjë përfundimi të shpejtë që të kompensojmë tash kohën humbur, por jam që të shfrytëzohen të gjitha resurset e mundshme që sa më shpejt të bihet një vendim përfundimtar, i cili është në leverdi, sepse e tërë kjo po bëhet për Kosovën dhe të ekzekutohet, sepse është dashtë qysh në fillim të 2006 të fillojmë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re””, ka thënë ai.
Termocentrali “Kosova e re” llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në vend. Përgatitjet rreth tij kanë filluar qysh në vitin 2005, kur edhe është miratuar Strategjia për Zhvillimin e Energjisë, me të cilën është vendosur të nisë ndërtimi i një termocentrali, të quajtur në atë kohë “Kosova C”. /kosovapress/