E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nazistët” e ri të Evropës

Anembanë kontinentit, ekonomitë janë në rënie të lirë, përderisa numri i meshkujve të ri dhe të papunë po shtohet. A jemi në prag të ripërsëritjes së katastrofës të viteve të 30-ta?

Një fantazmë po ndjek Evropën: fantazma e papunësisë. Sipas të dhënave të fundit, ka rreth 25 milionë persona të papunë në shtetet anëtare të BE-së, një shtim prej dy milionë në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Kjo shifër përbën më shumë se 10 për qind të fuqisë punëtore dhe në disa shtete, situata është edhe më e rëndë. Në krye të listës është Spanja, me një nivel të papunësisë prej 25 për qind, e pasuar nga Greqia, me një papunësi gati 23 për qind. Në veçanti të goditur janë të rinjtë. Në Greqi dhe Spanjë, më shumë se gjysma e fuqisë punëtore nën moshën 25 vjet është e papunë. Niveli i papunësisë në mesin e të rinjve në BE arrin nivelin 22 për qind. Dhe nuk ka shenja që ky trend të ndalet dhe të bëjë një kthesë për të mirë.

Në të njejtën kohë, partitë me qëndrime neo-naziste po forcohen. Në Greqi, Agimi i Artë doli nga askund, për të fituar 21 ulëse në parlament, pas zgjedhjeve të majit dhe 18 pas ripërsëritjes së zgjedhjeve disa javë më vonë, duke joshur gati 7 për qind të votës popullore.

Flamuri i kësaj partie ka ngjyrat zi, bardhe dhe kuq, si flamuri burimor i Partisë Naziste të Gjermanisë, me kryqin e thyer në qendër. Kjo parti jo vetëm që i është kërcënuar me dhunë deputetëve të parlamentit, të cilët kundërshtojnë politikat e Agimit të Artë, por gjithashtu ka qenë e përfshirë në shumë incidente të dhunshme në tërë Greqinë.

Agimi i Artë nuk është partia e vetme neo-naziste, e cila ka siguruar përkrahje së fundi. Në Hungari, Jobbik, parti e formuar në vitin 2003, përdor flamurin, i cili i ngjason atij të Lëvizjes Kryqi i Shigjetës, e cila u vendos në pushtet në Hungari nga pushtuesit gjermanë në vitin 1944 dhe e cila vrau aq shumë hebrenj, sa që edhe policia, e cila ishte e ngarkuar që të arrestojë hebrenjtë, për t’i dërguar në Auschwitz, u ankua për numrin e madh të kufomave nëpër rrugët e Budapestit.

Në zgjedhjet e vitit 2010, duke bërë fushatë me sloganin “Hungaria është e hungarezëve”, Jobbik doli nga askund, për t’u bërë partia e tretë më e madhe në Hungari, duke fituar 16.67 për qind të votave.

Përderisa Agimi i Artë dhe Jobbik janë me gjasë dy partitë më ekstreme, të cilat kanë arritur të depërtojnë, ka edhe shumë shenja tjera, të cilat dëshmojnë se kriza ekonomike ka ndikuar në forcimin e ekstremit të djathtë edhe në pjesët tjera të Evropës. Në Francë, Fronti Kombëtarë fitoi 18 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

Të gjitha këto fakte duken si përkujtues shqetësues i depresionit paraprak, i cili goditi Evropën në vitet e 30-ta, duke e ngritur Adolf Hitlerin në pushtet. Komentuesit i kanë vërejtur këto paralele.

Megjithatë, bota duhet të ketë kujdes kur bëhet fjalë për tërheqjen e paraleleve mendjelehta të historisë. Në radhë të parë, përkundër ngjashmërive sipërfaqësore, situata në Gjermani, në fillim të viteve të 30-ta, ishte shumë ndryshe nga situata, të cilën e kemi sot. Papunësia ka qenë shumë më e lartë, rreth 35 për qind, pjesa më e madhe prej atyre të papunëve kanë qenë mbështetës të nazistëve.

Por aty ku lulëzon ekstremizmi, dhuna politike kurrë nuk është larg.

Ajo që po ndodh sot, ndërlidhet deri në njëfarë mase me ngjarjet në Gjermani, në vitet e 30-ta, por megjithatë, gjërat qëndrojnë pak më ndryshe, por megjithatë mund të thuhet se kemi të bëjmë me një kërcënim të ri, në epokën e re.

Bizneset po falimentojnë, Bankat po shemben, punëtorët e sektorit publik po përjashtohen nga puna, shërbimet publike janë në gjendje të mjerë. Prandaj nuk habit fakti se ekstremizmi politik po forcohet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›