E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sezoni veror”, konfiskohen 6 armë

Nga Express më 11 korrik 2011 në ora 14:09

Në kuadër të urdhrit operativ “Sezoni veror”, gjatë këtij vikendi policia ka konfiskuar gjashtë armë, në mesin e të cilave tri armë automatike AK 47 që janë përdorur në ahengje të ndryshme familjare.

Dy raste të përdorimit të armës së zjarrit në ahengje familjare janë regjistruar në fshatin Krojmir të Lipjanit ku policia ka konfiskuar një AK – 47 me dy karikator dhe 86 fishekë kurse në rastin e dytë është konfiskuar një pistoletë Ekol Special 7.65 mm.

Një rast tjetër gjatë këtij vikendi është regjistruar në fshatin Damanek-Malisheve ku policia ka arrestuar një të dyshuar për shkak të përdorimit të armës së zjarrit në një aheng familjar dhe ka konfiskuar një AK-47.

Edhe dy raste të tjera janë regjistruar në Vushtrri, respektivisht në fshatin Sfaraqak i ulët dhe Zhilivodë ku zyrtarët policorë kanë arrestuar dy të dyshuar për përdorim të armës së zjarrit në ahengje familjare dhe kanë konfiskuar një AK-47 dhe një pistoletë të llojit Ekol –special.

Policia kërkon nga qytetarët t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve.

Zyrtarët policorë nga njësitë e trafikut rrugor do të vazhdojnë së zbatuari Nenin 185.1, Ligji mbi sigurinë e komunikacionit rrugor, përcakton se gjatë kohës së lëvizjes së mjetit nuk lejohet që personat të kërcejnë, t’i hapin dyert dhe të dalin me pjesë të trupit jashtë mjetit, të ulen në dritare nëpër dasma ose ndonjë ceremoni të ngjashme, në pjesët e jashtme të mjetit.

Për veprimin në kundërshtim me dispozitat e këtij neni është e paraparë gjoba prej 130 euro për pasagjerin dhe 130 euro edhe ndaj shoferit të mjetit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›