Vihet gurthemeli për terminalin e ri

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, shumë shpejt do ta ketë edhe një terminal të ri, i cili do të rrisë kapacitetet e tij dhe do të ofrojë kushte dhe shërbime më të mira për udhëtarët.
Të hënën është vendosur gurthemeli për terminalin e ri, i cili sipas drejtuesve të ANP-së, do të jetë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Fillimi i këtij projekti, në fakt paraqet fillimin e implementimit të kontratës nga konzorciumi Limak de Lyon, pas koncesionimit të ANP-së për një periudhë prej 20 vjetësh.
Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin zyrtarët më të lartë të shtetit, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, zyrtarë të tjerë të Qeverisë dhe institucioneve tjera, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, ambasadori i Francës, përfaqësuesi i Vakifbank, e cila e ka financuar këtë projekt dhe përfaqësues të tjerë të jetës publike.
Presidentja Jahjaga ka thënë me këtë rast se dhënia me koncesion e ANP në kuadër të politikës së transformimit të pronës në Kosovë është në funksion të ndërlidhjes së kapitalit, të nxitjes së investimeve të huaja në Kosovë dhe në funksion të ngritjes së cilësisë së punës dhe të shërbimeve.
“Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” do të luajë një rol të rëndësishëm në rrjetin e aeroporteve të Evropës, do të jetë një urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe botës, do të jetë në funksion të të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke ofruar shërbime të mira dhe fqinjësore dhe njëherësh duhet të shërbejë si referencë për investitorët dhe menaxhuesit si sprovë e një investimi dhe një angazhimi të organizimit këtu”, ka thënë Jahjaga.
Ndërkaq kryeministri Thaçi ka theksuar projekti i sotëm është një shembull i mirë i një partneriteti të shëndosh dhe të qëndrueshëm mes Qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat dhe tregues i qartë për investitorët e jashtëm.
“Zbatimi i suksesshëm i partneritetit publiko-privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dëshmon se Qeveria e Kosovës është duke i zbatuar me sukses objektivat e saj drejt rritjes ekonomike të vendit dhe përmirësimit të jetesës së qytetarëve të saj”, është shprehur Thaçi.
Kreu i ekzekutivit të vendit, e ka quajtur këtë projekt të munguar, projekt të Kosovës së re dhe të zhvillimit ekonomik në shtetin modern të Kosovës.
Nga ana tjetër, zëvendës kryesuesi i Limak de Lyon, Sezai Bacaksiz ka thënë se me më këtë projekt do të rritet kapaciteti dhe me rritjen e numrit të udhëtarëve, ANP-ja çdo ditë është një derë e rëndësishme për Kosovën drejt Evropës dhe botës.
“Investimi në shumë prej përafërsisht 140 milionë euro, përbëhet nga aktivitetet tona të ndërtimit që do të realizohen bashkë me ndërtesën e re të terminalit dhe përfshinë parkingun për automjete, kullën dhe rregullimin dhe zgjerimin e taksive”, ka theksuar Bacaksiz.
Terminali i ri do të përfshijë një sipërfaqe prej 42 mijë metrash katrorë dhe do të ofrojë një shërbim më cilësor, ndërkaq është financuar nga banka turke Vakifbank, përfaqësuesi i së cilës ka thënë se janë akorduar 85 milionë euro për fillimin e ndërtimit të këtij projekti që e vënë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në mesin e aeroporteve moderne. /kosovapress/