E Shtunë, 31 Tetor 2026

“UFO-t” e Titos për të rënët

Sy me krahë, lule gjigante dhe UFO nga betoni: aty, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore janë vrarë partizanët jugosllavë, në vitet e 90-ta, nën kryesimin e Titos, u ndërtuan përmendore gjigante. Një artist dokumenton këto monumente dhe shkatërrimin e ngadalshëm të tyre. Nga Express më 09 qershor 2011 në ora 08:08

Çka mbet nga një ushtar, i cili humb jetën në betejë? Ca eshtra, ndoshta ndonjë varrezë ushtarake. Por nëse vdes në anën e duhur të një beteje të madhe, siç u luftuan gjatë Luftës së Dytë Botërore në territoret e ish-Jugosllavisë, atëherë ke mundur të nderohesh edhe me një përmendore.

Pas luftës dhe deri në vitet e 80-ta, këto monumente të zymta u ndërtuan në ato vende, në të cilat kanë humbur jetën partizanët, gjatë luftimeve apo në kampet e përqendrimit. Shkollat shkonin për të vizituar këto objekte, me qëllim që të mësojnë historinë e vendit të tyre, nën hijen e monumenteve. Pionierët e ri mbusheshin me patriotizëm në këto vende. Me miliona vizitorë përkujtonin me vizita të rënët dhe dëshmorët, gjatë viteve të 80-ta.

Por historia mori rrjedhën e saj. Në vitin 1991, ish-RSFJ-ja u shpërbë. Dhe me shtetin, vdiq edhe nevoja për të kujtuar të vdekurit, të cilët kishin vdekur për ta. Askush më nuk e merr rrugët, për të vizituar përmendoret dhe për të kaluar rrugët e vështira nëpër male, për të arritur deri te këto objekte. Pionierët nuk ekzistonin më. Dhe në tekstet shkollore të nxënësve tashmë përmenden emrat e betejave tjera. Bari filloi të rritet mbi rrugët dikur aq të mirëmbajtura, të cilat shpinin deri te monumentet.

Në këtë gjendje i gjeti artisti belg, Jan Kempenaers. “Ishe nga mesi i viteve të 90-ta në Sarajevë, për të fotografuar qytetin. Me këtë rast zbulova monumentet e para gjigante”, rrëfen ai.

Ekzistojnë me qindra monumente të këtilla. Por kaluan dhjetë vjet, deri në momentin kur Kempenears u nis në vitin 2006, për të zbuluar dhe fotografuar përmendoret e harruara.
Ai me këtë rast, për të zbuluar përmendoret, shfrytëzoi një hartë, të cilën e kishte zbuluar në vitin 1975, në një bibliotekë në Zagreb. “Por mu nevojitet ndihma e vendasve, për të gjetur monumentet. Ato shpesh janë aq thellë në male, sa që vetëm njerëzit, të cilët jetojnë aty, e dinë se ku gjenden”, thotë Kempenaers.

Ishin shpesh yjet e artit dhe arkitekturës jugosllave ata, të cilët dizajnuan përmendoret. Si për shembull Dushan Dzamonja, i adhuruari i Titos. Ai dizajnoi “Përmendoren e Revolucionit”, syrin gjigantë me krahë, i cili është vendosur mbi fushëbetejën e Podgaricit, në afërsi të komunës kroate, Berek.

Apo Vojin Bakic, i cili dizajnoi monumentin në Petrova Gora.

Edhe arkitekti dhe eseisti Bogdan Bogdanovic, shkrimet e të cilit u publikuan në gazetat ndërkombëtare si El Pais, Svenska Dagbladet apo Die Zeit, ka dizajnuar mbi 20 përmendore. Një nga veprat e tij është edhe “Lulja e Gurit”, e vendosur në Jasenovc, një prej kampeve më të mëdha të përqendrimit në Evropën Juglindore, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sikur edhe monumenti në Petrovo Gora, i cili tashmë është shndërruar në mbajtës të antenave, edhe disa përmendore tjera tani kryejnë detyra tjera.

“Për shembull, një përmendore në afërsi të Splitit është ngritur fillimisht për partizanët e rënë, të cilët luftuan kundër fashistëve italianë. Në mesin e të rënëve kanë qenë edhe shumë futbollistë të klubit NK Split. Në fillim të vitit 2008, disa ndërmarrës e shpëtuan këtë skuadër nga falimentimi. Me këtë rast, ata riparuan edhe monumentin. Tani monumenti vizitohet shpesh nga ithtarët e futbollit. Monumenti u shndërrua në një monument për futbollistët e vrarë”, thotë Kempeneaers.

Por çfarë të bëhet tani me monumentet, të cilat kujtojnë një regjim, të cilin nuk dëshiron ta kujtojë askush? Aq më tepër kur mungon infrastruktura, për shfrytëzimin e këtyre objekteve.

Por pse monumentet që po shkatërrohen po na prekin ende edhe sot? “Gjenerata e re e vëzhguesve e vlerësojnë fuqinë kreative dhe emocionalitetin në këto objekte”, thotë Leo Schmidt, profesor në Universitetin Teknik për ruajtjen e monumenteve në Kotbus dhe ekspert për trashëgiminë nga koha e Luftës së Ftohtë.

Bogdan Bogdanovic, i cili dizajnoi monumentin në Jasenovc dhe i cili vdiq vitin e kaluar në Vjenë, rikapitulloi me hidhërim atë periudhë:”Gjysma e shokëve të mi të shkollës vdiqën në luftë. Gjysma tjetër luftuan kundër njëri-tjetrit, pasi që ose ishin komunistë, ose anti-komunistë. Vetëm mund të them: E kam parë, e kam jetuar-dhe kurrë nuk e kam kuptuar”. (Der Spiegel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›