E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vija e paqes” në Belfast

Janë objekte të teknologjisë së lartë, të cilat është paraparë të mbajnë larg armiqtë dhe të ndalin refugjatët-dhe ndajnë popujt. Asnjëherë më parë nuk ka qenë më vështirë të kalohen muret, të cilat po ndërtohen në shumë shtete. Gjatë ditëve të ardhshme, gazeta EXPRESS do të publikoi reportazhet për “muret moderne”, në pesë kontinente. Nga Express më 10 gusht 2011 në ora 10:39

Lufta qytetare ka përfunduar, Irlanda e Veriut jeton në paqe-së paku në teori. Në të vërtetë, konflikti ka mbetur i pazgjidhur, tendosjet mbetën të gjalla. Për këtë arsye, askush nuk po e rrënon murin, i cili u ngrit në kohën e trazirave. Përkundrazi: Që nga ajo kohë ka vazhduar me zell ndërtimi i mëtutjeshëm.

Kjo mburojë nuk guxon të mungojë në asnjë “safari” në Belfast: muret me lartësi deri në tetë metra, të cilat ndajnë lagjet e krishtere nga ato protestante. Ciceronët ju tregojnë turistëve pjesët me vizatimet më të bukura në mur dhe rrëfejnë për historinë turbulente të së ashtuquajturës “Vijë e Paqes”. Edhe pse zyrtarisht paqja në Irlandën e Veriut mbretëron që nga viti 1997, interesimi i atyre që vizitojnë Belfastin vazhdon të jetë i lartë për luftën qytetare.

Muri i paqes është termi për ndërtimet, të cilat që katër dekada karakterizojnë pamjen e kryeqytetit të Irlandës së Veriut. Në vitin 1969, ushtarët britanikë vendosën tela gjemborë mes lagjes së krishtere përreth Falls Road dhe lagjes protestante përreth Shankill Roads. Në këtë seksion, u ndërtua pjesa e parë e “Murit të Paqes”.

Sot, muri ka një lartësi prej tetë metra, pesë metrat e poshtme janë nga betoni, ndërsa përmbi është e vendosur edhe një shtresë e telave gjemborë.

“Me qëllim që njerëzit të mos jenë në gjendje të hedhin diç në anën tjetër të murit”, shpjegon Neil Jarman, nga Instituti për Hulumtimin e Konflikteve në Belfast.
Megjithatë, muri e ka atë efektin pervers, sa që ndërkohë bëhen përpjekje që me katapulta të tejkalohet kjo pengesë.

“Muri pikërisht sfidon njerëzit që të hedhin diç në anën tjetër”, thotë Jarman.

Sipas numërimit të bërë nga ana e Institutit, në Belfast ekzistojnë rreth 100 “Vija të Paqes”. Ato ndajnë lagje të tëra dhe shtrihen nëpër rrugë dhe kopshte. 58 mure janë ndërtuar nga qeveria britanike, pjesa tjetër nga njerëzit e rëndomtë. Edhe përkundër faktit se që nga viti 1994 është në fuqi armëpushimi mes të krishterëve dhe protestantëve, ndërtimi po vazhdon me zell.

Muri i fundit zyrtar është ndërtuar në vitin 2008-në oborrin e një shkolle fillore. Shkas për ndërtimin e kësaj pjese të murit, ishte një sulm me bombë në një lagje protestante, disa muaj më herët. Për këtë vendim, Jarman ende e tund kokën. Ka qenë ky një sulm i izoluar, ngase në thelb, në atë lagje nuk ka pasur kurrë probleme, thotë ai. Por refleksi i parë gjithmonë është ndërtimi i një muri.

Kur policia jep rekomandimin për ndërtimin e një muri, ajo zakonisht nuk kundërshtohet nga ana e qeverisë.

Ngase vijat ndarëse janë mjaft të popullarizuara në mesin e banorëve. Në anketat e opinionit publik, banorët e Belfastit në vazhdimësi shprehen kundër rrënimit të mureve ndarëse.

Ata, nën hijën e mureve ekzistuese, e ndiejnë vetën mirë dhe të mbrojtur. “Ata frikësohen se mund të jenë të lëndueshëm, nëse gjërat dalin jashtë kontrollit”, thotë Jarman.

Kjo çdo vit ndodh rreth 12 korrikut, kur protestantët fillojnë marshin e rregullit të Oranjëve. Edhe këtë vit pati trazira të ashpra në lagjet e Belfastit. Pikërisht këto ngjarje kanë forcuar bindjen e banorëve të Belfastit, se muret duhet të qëndrojnë.

Por sipas mendimit të Jarmanit, muret kanë një ndikim fatal në vetëdijen e banorëve të Belfastit.

“Ato vetëm sa e forcojnë ndarjen. Politika është e vetëdijshme për këtë problem, por ajo nuk vepron, ngase me veprim nuk mund të sigurohen votat e votuesve”, shton ai.
Jarman nuk ka guxim që të jep një prognozë, për atë se kur do të mund të rrënoheshin muret në Belfast.

“Para dy viteve, kam qenë më optimist. Sot, nuk e di më se kur mund të ndodhë”, nënvizoi Jarman.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›