Marrëveshja e Ohrit, çështje e mbyllur
Diplomati amerikan, James Pardew, njëri nga negociatorët për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, deklaroi se kjo marrëveshje është çështje e mbyllur dhe nuk duhet të zgjerohet me kërkesa tjera.
Ai këtë e ka deklaruar, pasi u pyet lidhur me kërkesat e disa partive shqiptare se kjo marrëveshje kornizë duhet të zgjerohet me një korpus të ri të kërkesave të shqiptarëve etnik.
“Marrëveshja e Ohrit është përfundimtare, dhe tani i ngelet maqedonasve të punojnë për çështjet që janë jashtë kësaj marrëveshje. Kur them se është përfundimtare, mendoj se nuk duhet të hapet për debate të sërishme. Kjo çështje është në duart e maqedonasve dhe shqiptarëve etnik për të gjetur zgjidhje”, deklaroi Pardew, i cili do të jetë një nga mysafirët special me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.
Lidhur me masën e implementimit të këtij dokumenti, Pardew deklaroi se kryesore është se janë implementuar parimet bazë të Marrëveshjes së Ohrit: demokracia, të drejtat e njëjta të qytetarëve dhe njohja e identitetit kulturor të komuniteteve të ndryshme dhe se këto sipas tij, janë realizuar në masë të madhe.
Sipas tij, ky dokument paraqet model për tejkalimin e konflikteve etnike edhe në rajone tjera të krizës.
Ai ka nënvizuar se Marrëveshja e Ohrit si model është shfrytëzuar edhe nga Marti Ahtisaari për Kosovën.