E Diel, 1 Nëntor 2026

“Welcome to the Republic of Kosova”

Nga Express më 26 dhjetor 2010 në ora 17:14

Rreth 700 qytetarë serbë dhe disa politikanë të lartë të Serbisë, të cilët morën pjesë në shugurimin e Peshkopit të Kishës Ortodokse Serbe për Rashkë e Prizren, Teodosije edhe kanë shëtitur lirshëm të dielën nëpër qytetin e Prizrenit. Mirëpo, kësaj radhe kanë qenë disa të rinj prizrenas që u kanë kujtuar serbëve nga Beogradi se tani janë në Republikën e Kosovës.

Forca të shtuara të policisë janë kujdesur të dielën që serbët të ushtrojnë pa ndonjë presion ceremoninë e tyre fetare, kurse edhe qytetarët shqiptarë janë treguar të kujdesshëm dhe nuk kanë reaguar e penguar shugurimin e Teodosijes.

Mirëpo praktikat e mëhershme të politikanëve serbë që nëpër këto raste të japin deklarata politike dhe ta quajnë Kosovën ‘tokë serbe’, ka bërë që kësaj radhe disa të rinj nga Prizreni t’i kujtojnë serbët e Beogradit se tani janë në Republikën e Kosovës.

“Welcome to the Republic of Kosova”, “Fuck Serbia” dhe “Fuck Dik Marti”, ka qenë parulla që disa të rinj nga Prizreni kishin vendosur për t’u uruar ‘mirëseardhje’ zyrtarëve të lartë të Serbisë.

Në fakt kjo parullë me këto mbishkrime është vendosur në kohën derisa një grup i qytetarëve serbë dhe ministri për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq dhe ministri i Religjionit, Bogolub Shijakoviq, kanë shëtitur qytetit dhe janë ndalur tek Shatërvani për të pirë ujë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›