E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buhler uron peshkopin Teodosije

Nga Express më 26 dhjetor 2010 në ora 19:34

Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Erhard Buhler, ka përgëzuar peshkopin Teodosije me rastin e marrjes së detyrës në krye të Dioqezës për Rashkë-Prizren, ndërsa ka përgëzuar edhe qytetarët e Prizrenit për pritjen e qetë dhe paqësore të ceremonisë së Kishës Ortodokse Serbe.

Gjenerali Buhler ka marrë pjesë të dielën në shugurimin e peshkopit Teodosije, që u mbajt në Kishën e Shën Gjergjit në Prizren.

Me këtë rast, Buhler deklaroi se ai mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit të gjatë dhe të frytshëm me Kishën Ortodokse Serbe, dhe personalisht me peshkopin Teodosije.

Në këtë rast komandanti i KFOR-it theksoi rolin kyç të udhëheqësve fetar në nxitjen e pajtimit dhe paqes në tërë Kosovën. Ai falënderoi thirrjen e bërë nga peshkopi Teodosije për të gjitha kombësitë që jetojnë në Kosovë për bashkëpunim për paqe dhe respekt të ndërsjellë.

Po ashtu, kreu i KFOR-it gjithashtu lavdëroi Policinë e Kosovës për punën e tyre të shkëlqyeshme në sigurimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme fetare, si dhe qytetarët e Prizrenit për pritjen e qetë dhe paqësore të ceremonisë së Kishës Ortodokse Serbe.

“Popullata e Prizrenit i ka treguar botës se Prizreni është qendër kulturore dhe shpirtërore fetare brenda një Kosove tolerante dhe mendjehapur. Ky është imazhi i vërtetë që populli i Kosovës duhet ta pasqyrojë më tej”, është shprehur gjeneral major Erhard Buhler.

Ndryshe, KFOR-i ka mbështetur Policinë e Kosovës në sigurimin e rendit dhe të sigurisë gjatë ceremonisë së sotme të shugurimit të peshkopit Teodosije.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›