E Shtunë, 31 Tetor 2026

15 apo 150 milionë dollarë?



Ditët e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi dhënien për këtë vit të 15 milionë dollarëve për ndihmën e drejtpërdrejtë të shtetit ndaj mbjelljeve të reja të bujqve shqiptarë në ullinj, pemëtore intensive, serra, mbarështim bagëtie dhe subvencion kredish nga bankat për aktivitetet e grupeve të bujqve. Janë pesë milionë dollarë më shumë nga viti i kaluar dhe, pa dyshim, përbëjnë një arritje. Po a mjaftojnë? Bujqësia në prodhimin e përgjithshëm të vendit jep mbi 20 për qind të tij, por nga buxheti i shtetit merr vetëm 3-4 për qind. Ndërkohë që Banka Botërore në personin e drejtores së saj për Shqipërinë thekson se bujqësia është ajo degë prodhimi me potencial të jashtëzakonshëm që mund ta shpëtojë Shqipërinë nga kriza. Nëse kemi një fond rezervë (kontingjencë) prej 150 milionë eurosh, atëherë le t’ia japim 50 milionë bujqësisë (bujqve më aktivë), se ajo di t’i shpenzojë mirë këto para, duke katërfishuar prodhimin. Kështu ndodhi me dhjetë milionë dollarët e dhënë vjet apo me pesë milionë dollarët e dhënë gjatë vitit 2007. Tani zaret janë hedhur dhe më shumë bujqësia nuk mori në buxhetin e miratuar për këtë vit. Sigurisht, ajo ndihmohet dukshëm nga paratë e akorduara nga buxheti për rrugët rurale, por investimi në këto rrugë e nxjerr gradualisht veten. Ndoshta edhe kapacitetet thithëse të programit të ndihmës së drejtpërdrejtë nuk lejojnë një kapërcim të madh në dhënie fondesh. Por ama, duhet punuar që me buxhetin shtesë në muajin korrik (edhe pse jemi vit zgjedhor) dhjetëra milionë dollarë të kursyer apo të fituar me më shumë të ardhura nga doganat e tatimet të mund t’ia kalojmë bujqësisë. Rrugët dhe pjesët e tjera të infrastrukturës kanë marrë para boll. Dega që do të mbajë peshën kryesore të krizës botërore ekonomike e financiare (e cila do të duket më shumë tek ne pikërisht gjysmën e dytë të vitit) do të jetë bujqësia. Të 1 milion bujqit shqiptarë e kanë në dorë ta mbajnë lekun e shëndoshë dhe të ulin ankthet tona. Por shteti dhe ne të gjithë duhet t’i ndihmojmë. Ende opinioni publik nuk është i mirëpërqendruar tek dega që na shpëton nga kriza. Shumë nga opozitarët tanë, fatkeqësisht, mendojnë se bujqësia është në krizë të thellë (dëgjojnë vetëm ankimet individuale të bujqve), por në fakt është një sektor dhe degë prodhimi që ndodhet në rimëkëmbje të vazhdueshme. Madje disa nënsektorë brenda saj, si prodhimi i frutave, janë në bum të mirëfilltë. Viti që sapo kaloi, ishte një vit hidrik i mrekullueshëm për ullirin dhe praktikisht kemi dyfishim të prodhimit të vajit të ullirit. Ia vlen të përqendrohemi tek mbjelljet e rrënjëve të reja të ullinjve, jo vetëm pse në zonat kodrinore pengojnë erozionin e tokës, por pse është pikërisht koha kur mund të mbjellim pa syrin shqetësues të BE-së. Komisioni Evropian nuk lejon të mbjellësh pa hesap, në rast se bëhesh vend kandidat i tij (aq më tepër po të jesh vend anëtar). Ka politika të përcaktuara shumë qartë për të mos lejuar tejprodhim bujqësor brenda tregut të BE-së. Ne ia vlen të përfitojmë nga kjo kohë që kemi për të rritur “kapitalin” tonë bujqësor, numrin e rrënjëve në ullinj, mollë, rrush, qershi, kumbulla etj. Dhe këtë ia vlen ta bëjmë duke nxitur bujqit nëpërmjet ndihmës së drejtpërdrejtë. Ministria e Bujqësisë ka rregulla shumë të qarta dhe transparente për mënyrën se si i ndihmon bujqit me këto para shtetërore. Është një procedurë gare, ku fiton ai që mbjell më shumë dhe që punon parcelën e tij në mënyrë më cilësore apo duke përdorur teknologjinë e fundit, dhe jo bujku me përkatësi rozë apo blu në bindjet e tij partiake. Këtij sistemi të ngritur duhet t’i besohet më shumë nga qeveria. Nëse investojmë 150 milionë dollarë për bujqësinë këtë vit, të jemi të sigurt se ajo (bujqit tanë të palodhur) do të na e shpërblejë katërfish në rritje prodhimi. Dhe pikërisht pesëqind milionë euro i mjaftojnë Shqipërisë për të kaluar pa pasoja serioze krizën e rëndë ekonomike që po përjeton bota e zhvilluar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›