E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa të reja për sigurinë e përdorimit të gazit e naftës



Tregtimi i naftës dhe gazit do të ketë kushte më të rrepta. Ndërtimi i impianteve për tregtimin e këtyre lëndëve, që shpesh janë bërë burim aksidentesh, duke dëmtuar dhe jetë njerëzish, do të kërkojë plotësimin e shumë kushteve të vendosura nga qeveria. Qeveria ka vendosur të forcojë masat e sigurisë për tregtimin e karburanteve dhe gazit.

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për masat për përmirësimin e situatës së sigurisë dhe të veprimtarive në instalimet e impiantet, që shërbejnë për depozitimin, transportin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë vendim shumë të rëndësishëm që rrit shkallën e sigurisë në përdorimin e këtyre produkteve në vend. “Ky vendim, - u shpreh Kryeministri, - përbën një bazë të re për sigurinë nga impiantet e shpërndarjes së këtyre lëndëve, përcakton kriteret, detyrimet dhe masat, të cilat rrisin në mënyrë të ndjeshme shkallën e sigurisë”. Vendimi i sotëm është rezultat i studimeve disamujore që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në bashkëpunim me ministri të tjera i ka bërë këtij problemi.

Shoqata e Bankave zgjedh kryetarin e ri, Libero Catalano

Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB) zhvilloi dy ditë më parë mbledhjen e radhës, në të cilën u mbajtën dhe zgjedhjet për dy anëtarë të Komitetit Ekzekutiv dhe kryetarit të ri. Asambleja votoi unanimisht për zgjedhjen e z. Libero Catalano, drejtor i Përgjithshëm i Banka Italiane e Zhvillimit (BIS Banca) si kryetar të Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe z. Oliver Whittle, drejtor i Përgjithshëm i “Raiffeisen Bank – Albania”, si nënkryetar i saj. Z. Catalano zëvendëson në këtë post z. Edvin Libohova, kryetar bordi i Bankës Popullore. Komiteti Ekzekutiv zgjodhi z. Borislav Kostadinov, drejtor të Përgjithshëm të “ProCredit Bank” dhe z. Gazmend Kadriu, drejtor të Përgjithshëm të “Union” Bank si anëtarë të tij.

Aktualisht, Komiteti Ekzekutiv i AAB-së përbëhet nga: z. Libero Catalano, kryetar, Oliver Whittle, nënkryetar, Abdul Waheed Alavi anëtar, Borislav Konstadinov anëtar, Gazmend Kadriu, anëtar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›