Obama, i zgjedhuri i globit
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përshëndes dhe uroj mirëseardhjen me rastin e organizimit të seminarit “Politika e jashtme e SHBA-ve: Administratë e re, Doktrinë e re – Perspektiva rajonale”, bashkorganizuar nga MPJ-ja me ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.
Ne organizojmë këtë aktivitet vetëm pak ditë pas atij momenti solemn e mbresëlënës, një nga ato momente që transformojnë jetën e një vendi, që mbartin shpresën e një të ardhmeje të re, përurimi i Presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama.
Deri pak javë më parë ne ndoqëm gjatë gjithë vitit 2008 një fushatë të jashtëzakonshme, të pasur me ide e projekte, mbështjellë me elegancën e natyrshme të Barak Obamës, në një entuziazëm të jashtëzakonshëm që çoi në atë zgjedhje që e bën Amerikën të madhe e të veçantë, zgjedhjen e të parit President afro-amerikan. Fushata e zgjedhjeve shënoi një proces emancipues me impakt jo vetëm në Amerikë, por tek të gjitha vendet që ndajnë vlera të përbashkëta të lirisë, paqes, demokracisë, tregut të lirë dhe të drejtave të njeriut. Presidenti i 44-i i SHBA-ve, Barak Obama, është në realitet i zgjedhuri i globit dhe jo vetëm i preferuari i bashkëkombësve të tij, kaq të mëdha janë shpresat që ai, idetë dhe energjia e tij kanë ngjallur në botë.
Administrata e re amerikane që sapo është instaluar në zyrë, mbart në vetvete një përzierje të shkëlqyer të ndryshimit të kërkuar nga amerikanët me përvojën e domosdoshme në lidership, mishëruar në një doktrinë dhe filozofi të re, atë të kthimit të besimit brenda dhe jashtë vendit.
Ashtu si edhe kombet e tjera, shqiptarët kanë qenë të pasionuar me zhvillimet në Amerikë dhe i kanë ndjekur me vëmendje. Me shumë kënaqësi ne konstatojmë se për shqiptarët dhe Shqipërinë, SHBA-të dhe përfaqësuesit e saj të lartë, janë dhe do të jenë miqtë e tyre të mëdhenj, sepse me këtë komb të madh kanë qenë të lidhura fatet e vendit që në ditët e para të shtetit shqiptar, siç janë sot të çimentuara parimet dhe idealet e lirisë, të së drejtës dhe demokracisë. Këtë ndjenjë miqësie shqiptarët e manifestuan më së miri gjatë vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri, i cili do të mbetet pa diskutim një mik i madh i tyre.
Nuk do të mund të lija pa përmendur se në administratën e re bëjnë pjesë personalitete, emrat e të cilëve lidhen ngushtësisht me momente të rëndësishme të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj kosovare në veçanti. Veçoj këtu Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton. Dëshiroj të rishpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë dhe në të njëjtën kohë t’i uroj përzemërsisht znj. Klinton suksese në detyrën fisnike të Sekretares së Shtetit. Emërimi në këtë post vjen në një moment të vështirë në planin global dhe, njëkohësisht, me shumë sfida rajonale. Ne jemi të bindur se kuraja politike, lidershipi i pagabuar dhe angazhimi i vazhdueshëm i znj. Klinton janë garancia më e mirë për sukses. Nën drejtimin e Presidentit Obama, ne jemi të bindur se Sekretarja Klinton dhe diplomacia amerikane do të dijë të ndërtojë “një të ardhme me më shumë partnerë dhe më pak armiq, me më tepër mundësi dhe më pak kërcënime, për të gjithë ata që luftojnë për lirinë, paqen dhe zhvillimin”.
Ne jemi mbledhur sot në një kohë, kur me mjaft modesti dhe krenari mund të them se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë më të mira se kurrë. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të rëndësisë parësore dhe strategjike për Shqipërinë. SHBA-të janë aleati i pazëvendësueshëm i demokracisë dhe shtetit shqiptar. Shqipëria është bërë një nga aleatet më të palëkundura të Amerikës.
Bashkëpunimi i Shqipërisë me SHBA-të është zhvilluar në një klimë të mirëkuptimit dhe mirëbesimit reciprok edhe në aspekte mjaft jetike të zhvillimeve të rajonit të Ballkanit. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen amerikane për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe asaj kosovare në veçanti.
Shqipëria do të bëhet së shpejti anëtare e Aleancës së Veriut dhe tashmë partneriteti midis dy vendeve do të forcohet edhe me pjesëmarrjen tonë në këtë Aleancë. Ratifikimi dhe nënshkrimi i shpejtë i Protokollit të Zgjerimit të NATO-s nga Senati dhe Presidenti amerikan, sjellin shembullin më të freskët të këtij bashkëpunimi të rëndësishëm dhe partneriteti të frytshëm midis dy vendeve tona.
Më lejoni, duke përfunduar, t’i uroj suksese kësaj konference duke ritheksuar dëshirën tonë që të vazhdojmë, ashtu si më parë, dhe të forcojmë më tej bashkëpunimin dinamik e të gjithanshëm me Shtetet e Bashkuara, në përballjen me sfidat e përbashkëta globale për forcimin e stabilitetit, paqes dhe zhvillimit rajonal, si dhe në drejtim të përparimit të mëtejshëm të Shqipërisë drejt objektivave të saj euroatlantike.
*Ministër i Punëve të Jashtme