E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia e Ismail Bej Vlorës



Ismail Bej Vlora (Qemali) i përket kombit autokton iliro-pellazg, i cili që prej lashtësisë jeton në brigjet e Adriatikut dhe Jonit. Nis nga Danubi në veri, Vardari në lindje deri në gjirin e Ambrakisë në jug. Kushtet gjeografike, rrethuar me male të larta e ndarë nga dy dete, ai ka ruajtur kulturën, gjuhën dhe traditën, arsye që shqiptarët edhe sot, kudo që janë në botë, ruajnë gjuhën, zakonet, të cilat dëshmojnë për tabanin kombëtar.

Ekzistenca e 3 besimeve fetare: ortodoksë, myslimanë dhe katolikë, ka ndihmuar në ruajtjen e etnisë së shqiptarëve. Kjo veçanti i dha shtysë diplomacisë së tij që ta shfrytëzojë për bashkimin e vëllazërimin e kombit.

Pas vdekjes së Skënderbeut, krijimi i principatave s’i dha kurrë Shqipërisë fytyrën e një kombi nën Perandorinë Osmane. Shkak i mospajtimit ishin grindjet mes tyre. Ishte diplomacia e I. Qemalit që shmangu përçarjet mes shqiptarëve.

Ismail Qemali ishte nip i Ismail Bej Vlorës, që u vra tradhtisht nga sulltani, gjë që e kushtëzonte për të qenë shumë i kujdesshëm në kërkesat e tij, ndaj Portës së Lartë, për autonominë e Shqipërisë.

I. Qemali, me kulturën e gjerë, bëri karrierë politike. Njohja e disa gjuhëve e bëri përkthyes të zotin. Qysh i ri u emërua guvernator i Varnës (Bullgari), ku priti Perandorin Franc Jozefi. Riaktivizoi ujësjellësin e vjetër romak në Kostancë dhe krijoi Arkat e Kreditit Agrar në Bullgari. Pas internimit në Azi të Vogël, u emërua kryetar i Komisionit N/kombëtar në Danub e më vonë kryetar i Dhomës së Deputetëve në Parlamentin turk, që i shërbeu çështjes kombëtare.

I përgatiti Sulltanit raporte për gjendjen e Perandorisë në Egjipt, për çështjen e Kretës dhe luftën ruso-turke. Analiza e tij nuk u vlerësua nga sulltani, Porta e Lartë pësoi disfatë. Pasojat ranë mbi shtetet e Evropës që ishin nën sundimin e Turqisë. Kjo analizë socio-politike ishte një përvojë paraprake që do t’i shërbente atij për pavarësinë kombëtare.

Ai s’pranoi portofolin e ministrit të Jashtëm e atij Shëtitës, se njihte gjendjen e Turqisë dhe dëmtonin çështjen tonë.

I. Qemali ishte i njohur me rrethet përparimtare të Evropës dhe personalitetet e shquara politike të kohës, gjë që lehtësonte njohjen e problemit kombëtar në opinion botëror.

Pas Mithat Pashës, kryetar i Partisë Liberale turke u bë I. Qemali, i cili në një intervistë në (“Giornale d’Italia”) më 23.6.1909 thekson: “Liberalët e Evropës Perëndimore ngjajnë me trashëgimtarët e një pasurie të madhe, që preokupohen për t’u kënaqur me të ardhurat e grumbulluara nga pararendësit e tyre. Nëse në Perëndim liberalizmi është etiketë e një partie për të marrë pushtetin, në Lindje mjafton mendimi liberal që të ngjallen dyshime që sjellin të këqija të mëdha”. Një analizë e tillë ishte e vyer për të nesërmen e afërt të vendit.

Qeverisjen e Turqve të Rinj ai e quan anarki të rëndë që vjen nga lart dhe që është më e rrezikshme dhe e dëmshme se ajo që vjen nga poshtë. Ndërsa komitetin “Bashkim e Përparim” të xhonturqve ai e quan shtet brenda shtetit, që imponon vullnetin e tij, shtyp liritë e njeriut me shtetrrethim, që është një kundërvënie ndaj Kushtetutës. Kjo bëri që të ndërtojë platformën e qeverisjes së Shqipërisë.

Ai thotë: “Kushtetuta s’është qëllim, por mjeti për zhvillim e përparim”.

Kur Sulltani e emëroi guvernator të Tripolitanisë, ai nuhati rrezikun, kërkoi strehim politik në ambasadën angleze, e cila e nisi në Athinë. U mirëprit nga mbreti Georg I i Greqisë dhe nga shqiptarët me banim aty. Madje adjutanti i Mbretit, me origjinë të vonët shqiptare, u shpreh: “Bëni ç’është e mundur Ismail Bej për të krijuar një Shqipëri të lirë!”

Ftesa nga shqiptarë të Australisë (aty në Athinë), bëri që ai të nisë një fushatë diplomatike nëpër oborret e Evropës.

Maratonën e nisi me Romën, Kalabrinë e Sicilinë, ku çështja shqiptare njihej mirë. Si diplomat i hollë, gjatë qëndrimit në Itali, shfrytëzoi mosmarrëveshjet Austri - Itali për ndikimin në Shqipëri, e cila kishte dalje strategjike në Adriatik.

Shkathtësia e I. Qemalit zvogëloi disi përpjekjet për epërsi ndaj Shqipërisë të Austrisë, Greqisë, Italisë dhe Serbisë. Shkoi në Gjenevë, Bruksel, ku u takua me Faik Konicën për ta reklamuar çështjen kombëtare në gazetën shqiptare “Albania” e drejtuar nga ai. Më pas nxori gazetën e vet “Shpëtimi i Shqipërisë” në gjuhën shqipe, greke dhe turke, e cila shërbente për të ringjallur ndjenjën kombëtare të shqiptarët kudo në botë.

Shfrytëzoi vdekjen e Mbretëreshës Viktoria të Anglisë. Shkoi për ngushëllim në Londër, ku u takua me personalitete të politikës botërore.

Prej Londrës shkoi në Egjipt, ku kishte shumë shqiptarë. Nuhati intrigën e kurdisur nga Mehmet Ali Pasha, i cili kishte hapur opinionin sikur Porta e Lartë i kishte ofruar fronin e Shqipërisë, që I. Qemali gjoja s’e kishte pranuar për hir të miqësisë me Sulltanin. Menjëherë Ismail Beu e përgënjeshtroi këtë lajm, por Sulltani, për hesape të vjetra, e dënoi me vdekje në mungesë. P. Osmane po kalonte çaste të vështira për shkak të kryengritjeve, sidomos në Ballkan. Sinjalin e parë e dha Maqedonia, e cila kërkonte shkëputje nga Turqia.

Turqit e rinj u mblodhën në Paris në një kuvend, ku mes 40 delegatëve ishte dhe I. Qemali. Aty u vendos që të hartohej një proklamatë, drejtuar Fuqive të Mëdha për të garantuar reformat, që duhet të ishin zbatuar pas Kongresit të Berlinit, 1878.

Më 1908, turqit e rinj, të ndarë në 2 grupe, ku pakica e kuvendit drejtoi lëvizjen revolucionare, si pikësynim ishte vendosja e regjimit kushtetues dhe programi qeverisës me komitetin “Bashkim e Përparim”.

Edhe pse dikush ka shfaqur hije dyshimi për I. Qemalin, ai ngelet një figurë diplomatike që diti të shfrytëzonte grindjet mes shteteve, dobësimin e P. Osmane, që me vullnet të mirë, si atdhedashës, mundësoi krijimin e shtetit të parë të lirë.

I. Qemali mendonte se faza e parë për autonominë e Shqipërisë ishte shpallja e Kushtetutës. Përvoja diplomatike dhe vizitat nëpër oborret e Evropës bënë që ai të mbështetet në 2 Fuqi të Mëdha: Austro-Hungaria dhe Italia, të cilat ishin kundër pushtimit grek dhe serb. Përmes artikujve dhe bisedimeve me qarqet e lëvizjes përparimtare në Athinë, Romë, Vjenë, Paris, Londër, Kajro, Bukuresht dhe me shqiptarët jashtë atdheut, u përpoq të ndryshonte opinionin e Evropës për shqiptarët, të cilët i konsideronin pa ideale politike kombëtare. Turqit e Rinj, për të arritur zhdukjen e kombësive të pushtuara, e nisën me shqiptarët. Duke përdorur forcën dhe dredhinë, kujtuan se do t’i detyronin shqiptarët të hiqnin dorë nga autonomia. Katër ekspeditat e tyre bënë që të ringjallej fuqishëm ndjenja kombëtare. I. Qemali dhe Hasan Prishtina arritën të hartohej memorandumi i Gërçës, me 12 kërkesa, sipas të cilave të 4 vilajetet shqiptare të kishin autonomi administrative, për çastin, nën vartësinë e xhonturqve. Këto sollën valën e kryengritjeve në veri të vendit dhe më pas kryengritjet e përgjithshme 1909-1911.

Programi i I. Qemalit ishte vazhdimësi e rilindasve, i cili kërkonte mbështetjen e ndërkombëtarëve:

1- Kushtetutë dhe autonomi administrative për popujt e ndryshëm të Perandorisë.

2- Shqipëria të ketë 2-3 apo 4 vilajete me krahina shqiptare.

3- Hapja e shkollave shqipe dhe shpërndarja e librave në gjuhë amtare në çdo trevë ku flitet shqip.

4- Gjuhë zyrtare të ishte shqipja.

5- Të krijohej policia, postë-telegrafa, marrëdhënie diplomatike me Perëndimin dhe fqinjësia e mirë.

Kërkesa për autonomi dhe jo pavarësi nga ai përputhej me kushtet ekonomike të kohës. Kjo ide ishte përparimtare për kohën se pushteti identifikohej me fuqinë politike ushtarake.

Ai këmbëngul se organizimi i shtetit duhej bërë në frymë evropiane, se Shqipëria në shekuj ka qenë lidhur ngushtë me Perëndimin.

Të sigurohej mbështetja e kombëtarëve e të bindej popullsia që e quante P. Osmane si “mbrojtëse të kombit shqiptar”.

Duke parë një Turqi të dobët, në Nisë të Francës, më 19 shkurt 1912, ai doli me idenë e pavarësisë. Ambasadori italian, TomasoTitoni, njofton se në Nisë po mbahet një kongres sekret, me praninë e I. Qemalit. Konkretisht shprehej: “Një fis që kërcënohet nga serbët, grekët, është fis i vjetër ilir i shqiptarëve, që ruan e do të ruajë traditën dhe identitetin e lashtë kombëtar”.

Ministri i Jashtëm austro-hungarez, Bershtold, e mbështeti lëvizjen shqiptare për pavarësi.

Më 5 Nëntor 1912, I. Q. u takua me shqiptarët e Bukureshtit të cilët dolën me një rezolutë për formën e regjimit, pavarësi apo autonomi, gjë që varej nga Fuqitë e Mëdha.

I. Qemali, para se të niste takimet në oborret e Evropës, përdori diplomaci në bashkimin kombëtar: “Dua nja dy djem të mirë, që të merren me tregti, të jenë trima e të zgjuar, që të mos ua hedhë njeri. Dhe po qe se vdes andej, do të më bien në Shqipëri…” dhe ai me zgjuarsi kërkoi një nga jugu Sulo Jemin Beun nga Çeprati i Vlorës dhe Isa Boletinin nga Mitrovica e Kosovës.

Ai shkoi në Vjenë, u takua me Bershtoldin dhe ambasadorin Avarna. I duhej mbështetja e tyre për pavarësinë e kombit.

Më 20.11.1912, nga Triestja në anijen “Borun” me drejtim në Shqipëri, jep intervistën e tij në “Il Piccolo”: “Një gjë fare të vogël, që ne e dëshirojmë me gjithë zemër, shpalljen e pavarësisë së atdheut. Duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të ndërtojmë një qeveri provizore, kryetar i së cilës me siguri do të jem unë… Na takon kjo e drejtë, se kemi shekuj që luftojmë dhe ishim të parët që u ngritëm kundër P. Osmane. Është e drejtë që aspiratat tona të realizohen”.

Ai thekson se pavarësia kombëtare është e drejta legjitime e çdo populli. Ndërkohë që udhëton drejt qytetit të lindjes, që siç e përshkruan konsulli i Vlorës, De Facendis: “Vlora është në gjendje kaosi dhe mjerimi, që as vetë ata s’dinë se ç’duan. Në Vlorë ka 2 tendenca: I - Syrja Bej Vlora që kërkon ndihmën e Austrisë për pushtimin e Shqipërisë dhe II - I. Qemali kërkon pavarësinë e atdheut”.

* I. Qemalin e shoqëronte Luigj Gurakuqi, Pandeli Cali, Kristo Meksi, Dhimitër Berati, Qazim Kurti, Abdi Toptani dhe Refik Toptani etj. E priste gjithë paria e Vlorës, Kaninës, gjithë Labëria dhe nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Çamëria. Më 28 Nëntor 1912, po atë ditë, më 1443 që Skënderbeu ngriti flamurin në kështjellën e Krujës, Ismail Qemali, ky burrë patriot e i mençur, me flamurin e qëndisur dorë më dorë nga zonjat e Vlorës, dorëzuar nga Marigo Pozio, shpalli pavarësinë kombëtare. Me vonesë vjen Isa Boletini i cili u ul në gjunjë, iu fal dhe puthi atë flamur të kuq, në shekuj larë në gjak, flamurin e Skënderbeut.

Gazeta rumune botoi më 1 dhjetor 1912, përshëndetjen e ministrit të Brendshëm rumun, Take Jonesku: “Shqipëria, shteti më i vjetër i Ballkanit, vendasit aty kanë banuar para botës helene, para pushtimit romak, pushtimit sllav, pas 500 vjetësh zgjohet, ku myslimanë e të krishterë të vëllazëruar, ruajnë ndërgjegjen kombëtare. Rumania mbështet nxehtësisht Shqipërinë, e cila e fundit fitoi lirinë në Ballkan”. Ndërsa ministri i jashtëm i Serbisë, Pasiç, boton se nuk e njeh pavarësinë e Shqipërisë, duke kërkuar aneksimin e një pjese të madhe të Shqipërisë.

Gazeta angleze “Times” njeh pavarësinë kombëtare të Shqipërisë.

Gazeta italiane “Il Giorno”, më 2 dhjetor shkruan: “Shqiponja e zezë në fushë të kuqe valëvitet. Austria dhe Italia e mbështetën pavarësinë me parimin “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Ballkani i ballkanasve”. Për copëtimin e Shqipërisë u bashkua Mali i Zi dhe Greqia, të cilët luftuan për liri kundër Turqisë, ishin gati të zhduknin një shtet ballkanik duke e ndarë, duke shpifur ndaj shqiptarëve, si popullsi amorfe, gjysmë e egër, politikisht inerte dhe pa asnjë të kaluar të denjë.

Kurse konsulli italian në Vlorë, De Facendis, i tronditur njofton Ministrinë e Jashtme Italiane, më 6.12.1912 ku thotë: “Isha pesimist për të ardhmen e tyre, por tani them se shqiptarët duhen ndihmuar, pa dëmtuar drejtësinë, i bëhet nder njerëzimit”.

Stambolli e kaloi pa komente shpalljen e pavarësisë dhe deklaruan se donin autonominë dhe jo pavarësinë e saj.

I. Qemali u ngarkua nga Asambleja Kombëtare të formonte qeverinë e përkohshme. Ai, Kryetar Qeverie dhe ministër i Jashtëm. Në kabinetin qeveritar kishte përfaqësues të tri besimeve: 2 katolikë, 3 ortodoksë dhe 5 myslimanë. Anëtarë qeverie ishin: Mufit Libohova (ministër i Brendshëm), Luigj Gurakuqi (ministër Arsimi), Abdi Toptani (ministër Finance). Megjithëse qeveria e përkohshme përbëhej nga intelektualë besnikë, të arsimuar jashtë vendit, intelektualët që ngelën jashtë saj u zemëruan dhe krijuan një grup të pakënaqurish, që penguan qeverisjen e vendit. Duke hedhur baltë mbi figurën e I. Qemalit, si brenda dhe jashtë vendit, dëmtuan çështjen kombëtare. Ata bënë thirrje që nëpunësit e pazotë të zëvendësoheshin, por I. Qemali, i zënë me çështje të politikës së jashtme, nuk i mori parasysh.

* Vendi ynë Shqipëria, nën një pushtim 500-vjeçar, kishte një ekonomi të shkatërruar, e cila s’lejonte zbatimin e reformave të rëndësishme për rimëkëmbjen e saj. Kjo bëri që qeveria e Vlorës të kishte jetë të shkurtër. Gjithsesi, sot ne i kujtojmë me nderim gjithë ata atdhetarë, që nën diplomacinë dhe urtësinë e Ismail Qemalit shpallën pavarësinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›