E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja përshëndet vendimin për Universitetin e Mjekësisë



Lëvizja Socialiste për Integrim përshëndeti dje vendimin e qeverisë shqiptare për ngritjen e Universitetit të Mjekësisë. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, tha se vetëm uron që kjo nismë të mos mbetet në letër. “Të ketë një fat të mirë dhe përsëri ne do të jemi në dispozicion të idesë dhe jo thjesht të Berishës, që kjo punë të ecë përpara. Mbase do të ishim në ditën e inaugurimit të këtij universiteti, në një kohë që jemi në promovimin e ideve që shkojnë përtej kohës që Berisha ka në dispozicion dhe që ai nuk e administron dot më këtë proces”, - tha Vasili. Megjithatë, ai theksoi se Berisha nuk ka më kohë për këtë projekt dhe kur opozita të vijë në pushtet, do të mbarojë. “Sepse ai vetë tha që do t’i duhen rreth dy vjet për këtë punë. Kështu që është detyra jonë që e promovuam idenë dhe ta realizojmë këtë ide në praktikë”, - shtoi Vasili.

Reforma në spitale

Matja e performancës, në dorë të spitaleve

Treguesit e performancës në spitalet tona do të regjistrohen në mënyrë elektronike nga vetë këto institucione. Ky do të jetë fillimi i reformës spitalore. Spitalet do të raportojnë për gjithçka që disponojnë, por edhe për mungesat. Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore ka organizuar dje një seminar me punonjës të shëndetësisë për t’i njohur më nga afër me të dhënat që kërkohen.

Drejtori i këtij institucioni që do të merret me kontrollin dhe vlerësimin e këtyre te dhënave, Isuf Kalo, thotë se nuk mund të garantojë vërtetësinë e të dhënave që do të raportohen nga vetë spitalet, pra ato dhe mund të falsifikohen.

“Tashmë, spitalet do të jenë ndërmarrje që do t’i shesin shërbimin e tyre ISKSH-së, e cila, nga ana e saj, si blerëse, nuk mund ta blejë nëse nuk di cilësinë dhe sa të suksesshme janë këto institucione", - tha prof. dr. Kalo, duke shtuar: "Nuk kemi për qëllim të dënojmë ndonjë spital që ka performancë të keqe, por përkundrazi, ta ndihmojmë që të dijë të mbledhë të dhënat dhe të dijë të bëhet konkurrues për tregun e lirë".

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë e cilëson si një hap pozitiv për nisjen konkrete të reformës spitalore. "Një nga kërkesat për t'u regjistruar dhe për të pasur pikë sa më të forta janë indikatorët, treguesit e performancës, siç mund të jenë dhe ato të cilësisë, por dhe elementë të tjerë", - tha Harxhi.

Një vit me parë, Qendra Kombëtarë e Cilësisë dhe Sigurisë se Institucioneve Shëndetësore kreu një studim pilot të shtrirë në 13 spitale të vendit në lidhje me vlerësimin e performancës, ku konstatoi një sërë mungesash në matjen dhe interpretimin e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›