E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përpunimi i fasadave

>Nga Ilir Taraj
Gjatë inondatës tranzitive 92-97 kur mbijetesa ishte ngërthyer brenda një rrethi që rrokullisej çmendurisht drejt të panjohurës, e fundit që do mendohej nga çdo lloj vendimmarrje ishte pamja e banesave kolektive socialiste, që ashtu memece e të njëllojta bojë shpëlara ose pa suva, vargëzoheshin si pa faj uniformisht në sheshet, rrugët e kryerrugët e qyteteve tona. Në vitin e fundit diktatura e ndjeu nevojën e një kozmetike të saj, dhe në kryeqytet u ngrit një ndërmarrje fasadash, e cila suvatonte pallatet pa suva, që nuk ishin pak, dhe i lyente si shoqet. Kjo tentativë pasonte marifetin kur ne fitonim çmimin nga OKB-ja si kombi më i ushqyer në botë ndërsa na kishte mbuluar peleagra. Gjithsesi, për ato pallate bëhej mirë të paktën për banorët e tyre, sepse ishte një zë pune i lënë pas dore që në përfundim të tyre me pasoja për ta. A ishte suvaja dhe lyerja e thjeshtë që këto fasada të flisnin me gjuhën e kohërave që po trokisnin me forcë në realitetin tonë shoqëror? Kjo nuk u kuptua atëherë dhe nuk po kuptohet edhe tani. Këmbëngulet me kokëfortësi në elementin e suvasë së thjeshtë të sipërfaqeve pa të dhe lyerjes së tyre (kësaj here në mënyrë të pa natyrshme kinse ekstravagante), duke menduar me cektësi se tregohemi të kohës me propagandë bojërash si vite më parë kur ndërtesat lyheshin edhe pa suva. Aq inovative duket kjo sa që është kaluar çdo cak dhe si rezultat kemi ushtrime fotoshopi në dada nga rekrutë partiakë në portretet e fasadave tona, (duke i laparosur në atë farë soji), e duke u dhënë pamjen më të shëmtuar, më absurde dhe më poshtëruese që ndonjë ndërtim ka pasur në këtë planet. Ndodhi kjo në një vend mesdhetar ku ngjyrat e natyrës në çdo stinë të vitit i bëjnë të tepërta ato të ndërtesave. Madje të parët i mbanin  krejt të bardha sikurse fqinjët sot. Ngjyrat përdoren me tepri në fasadat e ngrehinave mbi rrethin polar, ku gribardha monotone e ambientit ka uri për ato. Por edhe atje jo në këtë farë lare-bale zulu sepse edhe ata atje kanë gjithsesi respekt për veten e tyre, pavarësisht se Zoti e fati i ka vendosur në fundin e botës. Kjo laparosje masive u brohorit vetëm nga kori krakëllitës i Sorrave, që u fashit shpejt sepse nuk ngjiti. Pas befjes së parë, u ndal nga çdo administratë jashtë kufijve imitimi, duke na treguar, (ajme si përherë), si modeli që nuk duhet ndjekur në asnjë rrethanë, për turpin tonë por më shumë të atyre që e bënë. Nuk janë pak ata specialistë që këtë pështymë e kanë ndjerë mbi vete, të dëshpëruar e pafuqi për të reaguar nga që kokat bosh të politikës qëndrojnë mbi mantelin e pushtetit profesional. E kam thënë dhe e përsëris: Nga përbuzja qytetare ndaj përbuzjes pushtetare, fiton kjo e fundit dhe pasojat vështirë të riparohen. Duhet reagim konstruktiv e me vendosmëri nga tërë specialistët, duke i imponuar vendimmarrjes më të mirën e mundshme për çdo dalldisje të saj në zejen e dijet e tyre. Duke heshtur ky farë inovacioni fiton qytetarinë e më pas kemi cikllobët gjigandë, ndën atë cka ka mbetur nga liqeni artificial, konceptuar si prishje e hedhje mbetjesh ndërtimore me veshje kamuflazh, që janë absurde në sfondin e parregullsisë së ndërtesave tona anë e kënd, (si të hedhura), duke treguar një përbuzje dhe pa përfillje të pa drejtë për banorët e qytetarët e kryeqytetit a thua se i vendosin në sfondet e xhamta të qyteteve kanadeze. Ky model të konceptuari të arkitekturës duhet goditur pa mëdyshje si një akt demolues e i ndëshkueshëm për tërë arritjet e deritashme në këtë zeje aq të nevojshme e të dobishme për njeriun. Të bëhet e qartë për të gjithë alias arkitektët, por edhe për të tjerët: Arkitektura është lojë në hapësirë dhe jo në plan sikundër po konceptohet në mënyrë të gabuar sot. Është kjo lojë në hapësirë q? me dinamikën e volumeve, prodhon tonet dhe ngjyrat dhe jo llangosja me to, pavarësisht se epoka në të cilën janë krijuar, në rastin tonë, diktonte varfërinë e tyre. Akoma vazhdojnë gjykimet e hierarkëve partiakë të diktaturës që i quanin arkitektët bojaxhinj!? Mu këtu këta shakaxhinj të përparimit janë profesorë, e turravrapen (sos me të vjetrat por edhe me shumëkatëshet e reja). A kanë nevojë tek ne ndërtimet e vjetra për një luk tjetër? Po. Por nuk është ngjyra që e realizon këtë. Mjaftueshëm e afatgjatë këtë luk e realizon përpunimi i pamjeve të tyre me elementë dhe detaje të arkitekturës si dhe veshje cilësore, pra Përpunimi i Fasadave. Shembujt në historikun e ndërtimeve tona kur kjo ka qenë e nevojshme nuk mungojnë. Në bulevardin kryesor të qytetit të Elbasanit, nga dy krahët, vargëzoheshin ngrehina trekatëshe me një pamje jo tërheqëse, që në atë kohë dhe veçanërisht në atë vend. Zyra e projektimit të atij qyteti u angazhua për përmirësimin e pamjeve të tyre, bëhet fjalë rreth tridhjetë vjet më parë, dhe ja arriti qëllimit me anë të përpunimit të fasadave aty. Natyrisht që materialet e përdorura kishin atë cilësi që mund të arrihej në prodhimin e tyre në vend, i mbyllur aso kohe. Pamjet e atyre ngrehinave me kombinime e shtesa mes tyre më të larta se ato, morën një sharm që rezistoi për shumë vite. Pallati i sportit A. Rusi është një shembull tjetër. Po kështu ka qenë përpunimi i fasadave të kompleksit të ish uzinës Dinamo te bregu i lumit, që nuk arriti të futet në punë se u degjenerua nga hordhitë me flamurin katër germash O XON. Më pas kemi përpunimin e suksesshëm të fasadës te ish Zëri i popullit. Së fundmi kemi përpunimin e fasadës të ish hotel Arbëria dhe kthimin e tij në Ministrinë e Drejtësisë. Përpunim i suksesshëm është dhe fasada BKT -së po këtu. Kemi përpunime fasadash në qytetin e Durrësit e mjaft të tjera në qytete të ndryshme, përpunime që kanë ngritur në mënyrë të dukshme e bashkëkohore vlerat e ndërtesave ku janë aplikuar. Mendimi se ky përpunim ka një kosto më të lartë nuk është i saktë dhe profesional. Lyerjet e deritashme, sikundër pretendohet nga realizuesit e tyre, janë kryer me bojëra pigmente me një kosto që kalon edhe atë të veshjes me pllaka të ngrehinave të lyera. Në se do të përdorej një planifikim i studiuar për përpunimin dhe jo lyerjen e fasadave me bojërat që pretendohet se janë të shtrenjta, të njëjtat shpenzime do të kishin mjaftuar për të njëjtën sipërfaqe e mbase më shumë. Por rezultati do ishte krejt tjetër dhe këto fasada do merrnin vërtet një luk të kohës dhe afatgjatë pa shpenzime suplementare pa kontroll vend e pa vend. Tash e tutje kemi hapur një xhep në buxhetin e bashkive ku bojaxhinjtë nga janë e sjanë bëjnë sauna sa herë që shefat kanë ngërç monetar. Në varësi të vendndodhjes e funksionit të ndërtimeve të vjetra, përpunimi i fasadave të tyre duhet ndarë në disa kategori. Pa dyshim që ngrehinat dhe institucionet publike do të ishin jashtë këtij kategorizimi, si me thënë jashtë serie. Përpunimet e fasadave të tyre do realizoheshin me rikonstruksion që mund të përfshinte dhe rritjen e sipërfaqeve për shfrytëzim. Pastaj do vinin ngrehinat në sheshet dhe magjistralet kryesore qytetëse të cilat do të kishin përpunime fasadash të klasit së parë, që do të thotë se në këto fasada do të përdoreshin elementë arkitekture, veshje me pllakë por dhe veshje me xham. P.sh. fasada e pallatit mes ish gjykatës vjetër dhe ngrehinës karakteristike të amb. kubane, në krye të rrugës Durrësit pra te hyrja sheshit Skënderbej, duket si internat e ska bojë ta ndryshojë. Pa diskutim ajo do një veshje prej xhami me ndonjë alternim të lehtë alukobondi, pra përpunim të klasit të parë. Pallatet në unazën e Tiranës p.sh. duan një përpunim të mesëm fasadash që nënkupton evidentimin e elementëve arkitektonikë, kur ato kanë, me lidhje horizontale e vertikale me njëri tjetrin, me përdorim xhami dhe me veshje kryesisht me pllakë. P.sh. pallati te Brryli që ka aq shumë detaje arkitekture si rigela, pilastrone e brisole, duhet veshur me pllaka të ndryshme duke i vënë në dukje këta elementë si mendim i autorit, jo të fshihen ato me një bojatisje lap?rdhore allasoj. Në rrugët dytësore kemi përpunimin e thjeshtë të fasadave, i cili nënkupton një alternim midis veshjes me pllakë, veshjes me suva speciale si grafiato ose plastike e ndonjë elementi arkitektonik disi të kursyer përf

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›