E Diel, 1 Nëntor 2026

15 mijë persona protestojnë kundra Izraelit në Bruksel

Bruksel - Mijëra persona filluan sot pasdite të manifestojnë në Bruksel kundër ofensivës izraelite në Gaza, duke kërkuar t'u jepet fund "masakrave" dhe një reagim më të ashpër të Bashkimit Evropian. Protestuesit u mblodhën përpara njërit prej stacioneve të trenit të qytetit, stacioni i trenit në Midi, dhe pritet të përshkojnë qendrën e qytetit, me thirrjen e dhjetëra partive, sindikatave dhe shoqatave, të cilat presin një pjesëmarrje prej rreth 15 000 personash.

Në krye të turmës, rreth 100 fëmijë të cilët mbanin në duar kukulla të përgjakura me kefiehun palestinez u vendosën përpara flamujve palestinezë. Shihej qartë gjithashu një portret i kryetarit të partisë shiite libaneze Hezbollah, Hasan Nasrallah. "Ne jemi të gjithë palestinezë", "Gaza, masakra e re", shkruhej në parulla, si dhe "Stop masakrave në Gaza", "Izrael vrasës!" dhe "Bashkimi Evropian: heshtja jote është bashkëfajësi".

Manifestuesit filluan të marshojnë në qetësi, forcat policore, të shumta në numër, qëndronin në distancë. Përveç shoqatave dhe sindikatave, tri parti të mëdha politike frankofone të Belgjikës, socialistët, centristët dhe ekologjistët, e mbështesin këtë manifestim.

Disa kryetarë bashkishë si dhe presidenti i rajonit, Charles Picque, të cilët u trembeshin teprimeve, kanë bërë thirrje këto ditë për manifestime "në qetësi, me dinjitet dhe duke respektuar tjetrin". Liga e myslimanëve të Belgjikës u kërkoi pjesëmarrësve të mos digjnin flamuj gjatë manifestimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›