E Diel, 1 Nëntor 2026

Katari thirrja ministrave arabë për situatën në Gaza

Doha - Katari ka kërkuar një mbledhje të shpejtë të ministrave të Jashtëm arabë për të biseduar rreth "masave që duhet të merren përballë vazhdimit të agresionit izraelit kundër Rripit të Gazës" pavarësisht nga një rezolutë e OKB-së që bën thirrje për armëpushim. Mbledhja pritet të bëjë një analizë të misionit të delegacionit ministror arab në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe të lërë vend për "konsultime rreth masave që duhet të merren për të përballuar agresionin izraelit kundër Rripit të Gazës", deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme katariote.

Zëdhënësi, i cituar nga agjencia zyrtare QNA, kërkoi që mbledhja të mbahej "sa më shpejt që të ishte e mundur". Katari ka kërkuar dy herë mbajtjen e një samiti të jashtëzakonshëm arab, rreth ofensivës ushtarake izraelite në Gaza, por iniciativat e tij nuk janë marrë parasysh.

Ministrat e Jashtëm arabë, të mbledhur më 31 dhjetor në Kajro, kanë dërguar në Nju Jork një delegacion që mori pjesë në hartimin e rezolutës 1860 e miratuar të enjten nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Katari ishte anëtar i delegacionit, i përbërë edhe nga ministra të Jashtëm të Jordanisë, Libanit, Libisë, Marokut dhe territoreve palestineze dhe nga sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe.

Izraeli dhe lëvizja Hamas nuk e kanë përfillur rezolutën 1860, që "bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, të qëndrueshëm dhe që duhet të respektohet plotësisht, duke çuar në tërheqjen e plotë të forcave izraelite në Gaza".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›