E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mijëra protestues në Madrid kundër pushtimit izraelit

Madrid -Mijëra manifestues marshuan sot në mesditë në qendër të Madridit për të denoncuar "gjenocidin" që po zhvillohet, sipas tyre, në Rripin e Gazës, dhe kërkuan "paqen" në territoret palestineze. "Të ndalojmë gjenocidin në Palestinë", shkruhej në disa parrulla të manifestuesve, mes të cilëve kishte përfaqësues të partive të majta, si Partia socialiste në pushtet dhe disa sindikata. Ky manifestim kundër ofensivës izraelite në Gaza u zhvillua në një mot të mirë me diell midis sheshit Cibeles dhe Puerta del Sol, ku pritet të lexohet pasdite një manifest në mbështetje të palestinezëve.
Në manifestim ishin të pranishëm shumë imigrantë nga Magrebi dhe shumë manifestues mbanin kefieh-in, shall tradicional i beduinëve që për disa është bërë simbol i luftës së palestinezëve kundër Izraelit.

Disa përfaqësues të botës së letrave apo të kinemasë merrnin pjesë gjithashtu në marshim. Manifestuesit hidhnin slogane si "Jemi të gjithë palestinezë", "Izrael vrasës", duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke treguar fotografi të fëmijëve të vrarë në Gaza gjatë ofensivës izraelite. "Faleminderit Chavez", shkruhej në një parullë, për presidentin venezuelas Hugo Chavez, i cili është bërë hero në territoret palestineze pasi ka dëbuar ambasadorin e Izraelit në Karakas.

Disa manifestime të tjera në favor të palestinezëve janë zhvilluar sot në Spanjë, sidomos në Barcelonë, në verilindje, si dhe në shumë kryeqytete europiane. Ofensiva izraelite "Plumbi i ashpër" në Rripin e Gazës hyri sot në javën e tretë dhe ka shkaktuar rreth 900 të vdekur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›