15 mijë të vdekur në listat e votuesve

Florian Dushi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, njëherë kryesues i Grupit Punues të KQZ-së, lidhur me strategjinë për përmirësimin e listës së votuesve, ka thënë se në këtë fazë ka disa të arritura konkrete sa i përket pastrimit ose përmirësimit përmbajtjesor të vetë listës votuese.
Ai ka shtuar se pastrimi i listave ka qenë një ndër sfidat kryesore, pasi që, siç ka thënë Dushi, ata të cilët kanë dashur të manipulojnë me procesin kanë pasur një hapësirë apo një derë përmes të cilës janë futur te emrat të cilët tashmë janë të vdekur, personat të cilët jetojnë jashtë vendit dhe te disa gabimeve teknike në ato kodet të cilat i ka përmbajtur regjistri civil.
Për më tepër, ai ka shtuar se procesi i krijimit të listës votuesve në Kosovë ka pasur progres linear. Megjithëkëtë shumë aspekte të saj kanë nevojë për precizitet dhe saktësi.
Dushi ka thënë se pas një mori takimesh me zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Entit të Statistikave dhe akterëve tjerë, është konstatuar se problemet kryesore dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet lista e votuesve në Kosovë janë si vijon: numër i madh i emrave të personave të vdekur në regjistrin civil / listën e votuesve, ndërrimi i adresave dhe mospërsëritja e tyre në Qendrat Komunale të Regjistrimit Civil / MPB dhe mospërputhje midis emrit të adresës / vendbanimit dhe P-codit të vendbanimit.
Dushi ka thënë se ky Grup Punues, në bazë të analizave të detajuara, ka arritur që të heq nga lista rreth 15 mijë persona të cilët janë të vdekur dhe gjithashtu të bëjë identifikimin e disa problemeve të tjera në listat e votuesve dhe regjistrit civil.
“Pas analizave të detajuara, janë identifikuar 15 mijë emra të personave të vdekur të lajmëruar, por të cilët nuk janë fshirë nga lista e votuesve. Pas identifikimit të tyre janë proceduar me qëllim të pastrimit të këtyre emrave nga lista e votuesve. Po ashtu, janë identifikuar rreth 60 mijë votues me P-code gabim dhe të fundit janë përmirësuar në regjistër civil dhe në listën e votuesve. Në të njëjtën kohë, janë identifikuar rreth 10 mijë emra të personave që e kanë humbur ose kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Edhe këta të fundit janë pastruar nga regjistri civil dhe nga lista e votuesve”, ka theksuar Dushi.
Pas leximit të këtij raporti, ka reaguar anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, Blerim Burjani, i cili ka thënë se, përherë të parë, po dëgjon për këtë raport, duke mos u informuar asnjëherë më parë për të.
Gjithashtu ai ka kërkuar që në këtë Grup Punues të mos jenë anëtarët e KQZ-së, pasi që përfaqësojnë subjektet politike, por të jenë nga sekretariati dhe shërbyesit civil.
“Qëndrimi im është që anëtarët e KQZ-së të mos jeni në Grupin Punues për shkak se ata janë përfaqësues të subjekteve politike. Vetëm sekretariati është dashtë të jetë në këtë grup punues dhe ashtu ai sekretariat, siç është përbërja e Ministrisë së Punëve të Brendshme që është prej shërbimit civil, edhe këta është dashur të jenë shërbyes civil për mos me pas diçka tjetër në të”, ka thënë Burjani.
Nga ana një tjetër, Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së, nga radhët e PDK-së, ka thënë se ky është një ndër lajmet e mira që ka për të thënë Komisioni Qendror Zgjedhor.
Sipas tij, përmirësimi i listës së votuesve është rezultat i vullnetit të përgjithshëm të KQZ-së, duke shtuar se është pak më rëndësi për emrat se kush kanë qenë në këtë grup. Edhe Gjoshi ka përmendur punën që ka bërë ky Grup Punues në pastrimin e listave zgjedhore.
“Edhe si rezultat fillestar të kësaj, ne kemi 60 mijë persona që ju ka përmirësuar adresa. Kemi rreth 15 mijë persona të vdekur që do të largohen nga lista votuese dhe regjistri civil dhe kemi 10 mijëpersona të tjerë që do të largohen nga lista për shkak se jetojnë jashtë vendit për shkak se kanë humbur shtetësinë apo me kërkesën e tyre kanë hequr dorë nga shtetësia”, ka theksuar Gjoshi.
Grupi Punues gjithashtu ka identifikuar numrin e gjithë qytetarëve të cilët janë pajisur me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, i cili është rreth 1.2 milion, ndërsa rreth 450 mijë posedojnë ende letërnjoftim të UNMIK-ut, nga të cilët rreth 63 mijë janë ende valid, në bazë të afatit kohor.
Puna e këtij Grupi Punues do të vazhdoj edhe më tutje. (Kosovapress)