Studimi, ja 12 faktorët që ndikojnë në prekjen nga kanceri
• Plot 12 faktorë ndikojnë në shfaqjen e tumoreve tek persona të ndryshëm.Sipas studimit të shoqatës bamirëse "Kërkime mbi kancerin", tek të gjithë të sëmurët ndërthuren disa prej tyre, por vrasës i organizmit mund të jetë edhe një i vetëm. Pirja e duhanit, mbetjet toksike dhe industriale, pirja e alkoolit, elementet toksike te ushqimet, rrezet radioaktive, niveli i lartë i hormoneve, konsumimi i ujit të ndotur, kimikatet që gjenden në shtëpi, gazi, benzeni, vajguri, tymi i makinave, produktet farmaceutike dhe kimikatet te produktet kozmetike janë këta faktorët. Veç tyre, në shfaqjen e sëmundjes së rrezikshme ndikon së tepërmi edhe stresi. Në vendin tonë tumoret renditen të dytat në listën e sëmundjeve që shkaktojnë më shumë vdekje. Ato përbëjnë rreth 17% të numrit total të vdekjeve dhe kanë ardhur duke u rritur nga rreth 60 vdekje për 100 mijë banorë në fillim të viteve '90, në mbi 80 vdekje për 100 mijë banorë. Regjistri kombëtar për kancerin në vendin tonë regjistron rreth 3500 raste të reja çdo vit. Problem mbetet diagnostikimi pasi nëse në vendet e tjera të Evropës 75% e personave arrijnë të kapin në kohë sëmundjen dhe ta kurojnë atë, tek ne ndodh e kundërta. Pjesa më e madhe e pacientëve arrijnë në spital në stadet më të avancuara të sëmundjes, kur është tepër vonë për t'u shpëtuar jetën. Sipas mjekëve onkologë, rritja e rasteve me kancer në të ardhmen do të ndodhë si pasojë e ndryshimit në strukturën moshore të popullsisë shqiptare, me rritjen e moshës mesatare të popullsisë dhe shtimin e grupmoshave të vjetra, shtohet edhe numri i të prekurve. Sa i përket llojeve të tumoreve që godasin më shumë ata janë të ndryshëm tek femrat dhe tek meshkujt. Kështu tek gratë më i përhapuri është kanceri i gjirit dhe ai i qafës së mitrës, ndërsa tek burrat kanceri i mushkërive dhe prostatës. Për të parandaluar dhe për të kapur në kohë sëmundjen është e domosdoshme kryerja e analizave të herëpashershme tek mjekët specialistë.Moshat e rejaKanceri i gjirit është më i shpeshti tek gratë në vendin tonë. Mjekët onkologë ngrenë alarmin për shtim të rasteve me kancer të gjirit tek moshat e reja më pak se 35 vjeç. Kjo në një kohë kur në botë mosha mesatare e të prekurve nga ky lloj tumori është rreth 45 vjeç. Më shqetësuese sipas bluzave të bardha, mbetet fakti se edhe tek këto mosha mungon kultura mjekësore e diagnostikimit të hershëm, duke u bërë shkak për paraqitjen e tyre në spital me një stad të avancuar të sëmundjes. Në këto stade është e vështirë të ndërhyhet, si dhe të shpëtohet jeta e pacientit.