Gratë shtatëzëna,7% kanë hepatitin B
• Hepatiti B kërcënon jo vetëm gratë shtatëzëna, por edhe fëmijët që ato presin të sjellin në jetë. Në vendin tonë rreth 7% e nënave të ardhshme janë të prekura nga sëmundja e rrezikshme, duke u bërë kështu shkaktare të trasmetimit të saj te të vegjëlit në rreth 90% të rasteve. Të dhënat bëhen publike nga Instituti i Shëndetit Publik. Studimi më i fundit i realizuar nga specialistët e këtij instituti ka pasur si qëllim raportimin e shpeshtësisë së sëmundjes tek kjo kategori e popullatës, si dhe ndërtimin e një strategjie për të mbrojtur fëmijët e porsalindur nga hepatitet. Në studim janë përfshirë 500 gra shtatëzëna të përzgjedhura nga 4 rrethe të vendit. Përzgjedhja e tyre në maternitetet e Tiranës, Shkodrës, Vlorës dhe Durrësit është bërë në mënyrë të rastësishme. Grupmosha nga 21-25 vjeç, sipas të dhënave, ka numrin më të lartë të të infektuarave. Kështu nga kjo grupmoshë, 11.2 % e grave shtatëzëna rezultojnë të prekura nga hepatiti B. Sipas specialistëve, ky fakt tregon se pikërisht tek kjo grupmoshë mungojnë masat parandaluese për faktorët në risk të sëmundjes. Shkak për këtë është edhe mungesa e informacionit të duhur për mënyrat se si transmetohet sëmundja nga një individ tek tjetri. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat për kontigjentin e grave me arsim tetëvjeçar. Ato përbëjnë numrin më të madh të të prekurve. Nga nënat e ardhshme që janë përfshirë në studim kjo kategori zë rreth 9.1% të të infektuarve. Hepatiti B shkaktohet nga virusi përkatës i kësaj sëmundjeje. Periudha e inkubacionit të virusit është 2 deri në 6 muaj.