15 milion dollarë investime në rajonin veri-perëndimor të vendit
Përmbytjet, qeveria investime në Shkodër dhe Lezhë, i paraprihet periudhës së reshjeve
Megjithëse periudha e lagështirës duket e largët, shtatori i reshjeve po afron. Pikërisht, për t’i bërë ballë hyrjes së stinës së vjeshtës, prej muajsh të tërë ministria e Bujqësisë ka realizuar punimeve në zonën e Shkodrës dhe të Lezhës, me qëllim përballimin e situatave të mundshme të përmbytjeve. Zëvendës-ministri i Bujqësisë, Ndoc Fasllia u shpreh dje se investimet e kryera këtë vit janë më të mëdhatë që janë bërë ndonjë herë, me një vlerë totale prej 15 milion dollarë. Sipas zotit Fasllia, këto punime janë drejt fundit dhe parashikohen të përfundojnë brenda afateve të duhura. Investimet në përforcimin dhe ndërtimin e veprave anti- përmbytje janë mbështetur financiarisht edhe nga Banka Botërore. Qeveria shqiptare është e zotuar për t’i bërë ballë këtë vit, reshjeve të dendura të shiut, të cilat janë karakteristike për muajt dhjetor – janar – shkurt, periudhë në të cilën edhe dëmet e shkaktuara në vite kanë qenë ndër më të mëdhatë. Në këtë drejtim, Ministria e Bujqësisë jep garanci se investimet e kryera në rajonin veri-perëndimor të vendit, me vlerë rreth 15 milionë dollarë, janë një garanci për mbrojtjen e shtëpive dhe tokave nga vërshimi i lumenjve.