Edi Rama urdhëron përjashtimet nga PS

Prapaskenat e kongresit të PS-së më 5 nëntor
Rama, kryetar i PS-së por ka kundër kryesinë dhe sekretariatin
Edi Rama njihet de jure kryetar i Partisë Socialiste, por një pjesë të mirë të forumeve drejtuese aty, s’arrin t’i kontrollojë. Sekretariati dhe Kryesia janë dy prej strukturave më të rëndësishme vendimmarrëse të përcaktimit të vijës politike të PS, organizimit e riorganizimit të programit, platformës e qëndrimeve ndaj çështjeve më sensitive politike në vend.
Në 6 vitet e drejtimit të Partisë Socialiste nga Edi Rama, strukturat e PS s’kanë qenë asnjëherë të unifikuara, teksa elementë të rëndësishëm dhe me kontribute në PS, kanë menduar “ndryshe”, për një apo disa arsye, por bojkoti i Kuvendit dhe mos dhënien e konsensusit për reformat e integrimit, është shuplaka më e rëndë që selia rozë i jep fateve evropiane të vendit.
Të ndodhur në kushtet e “shtypjes”, përjashtimit dhe dhunimit politik, një pjesë e mirë e anëtarëve të kryesisë së PS, por edhe sekretariatit, kanë dalë hapur kundër metodikës së të bërit politikë nga Edi Rama. Kjo është dhe një tendencë e qartë e socialistëve të vërtetë për të mbajtur gjallë debatin politik në PS dhe jo “mbylljen e gojës” që Edi Rama legjitimoi në statutin e PS-së, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës.
Një tjetër faktor i gjallërimit të “mendimit ndryshe” në PS, lidhet dhe me faktin e pamohueshëm, të katapultimit të PS-së nga 99-shat e Erjon Veliajt, të qasur nga Edi Rama. Kjo kastë e papërvojë dhe pa pikë kontributi në PS, tenton të zëvendësojë figurat historike me sharësit, shpifësit dhe përbaltësit e Veliajt, Fugës dhe Agollit, të cilët ende s’kanë dhënë shpjegime për zhdukjen e kompjuterit të financave të lëvizjes Mjaft, apo dhe për donacionet që grumbullojnë për interesa të partisë fantazmë G99.
Këto dhe të tjera, as më shumë e as më pak, thjesht e kanë kthyer PS-në në një OJF, ku mendohet e flitet veç për interesa financiare.
Kryesia dhe sekretariati, janë dy prej strukturave më të rëndësishme vendimmarrëse që s’kontrollohen dot nga Rama. Anëtarët e kryesisë si Arben Malaj, Eva Allushi, Ben Blushi dhe Erjon Braçe, janë 4 rebelët e kryesisë që punojnë dhe veprojnë kundër vijës së Kryetarit. Por, divergjenca e mendimit dhe ushtrimit të politikës në PS shkon edhe më tej. Sekretariati i PS-së është i bërë nga përfaqësues të “mendimit ndryshe” në PS, ku spikat Kastriot Islami, Andis Harasani dhe Edlira Haxhiymeri. Ky është një grup i mjaftueshëm dhe racional, për mbrojtjen e pikëpamjes ideologjike të PS-së, ruajtjen e vlerave së saj politike si dhe kthimin e partisë më të madhe opozitare në shinat e dialogut politik. Por, risku i këtij kursi është vërtetë i madh.
Në 5 nëntor PS mbledh Kongresin dhe mendohet se një pjesë e mirë e socialistëve me kontribute historike në PS, do e gjejnë veten jashtë radhëve të saj.
Gjithçka mbetet për t’u parë me nisjen e sesionit të ri parlamentar, dy muaj para 5 nëntorit të Kongresit.
Kryesia jashtë “duarve” të Ramës
Arben Malaj
Ben Blushi
Erion Braçe
Eva Allushi
Sekretariati, 3 nga 8 kundër Ramës
Andis Harasani (Sekretar për Programin Politik)
Kastriot Islami (Sekretar për Çështjet Zgjedhore)
Edlira Haxhiymeri (Sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta)