1.5 milionë euro çojnë Salihin te Rapidi
Transferim spektakolar i Hamdi Salihit nga SV Riedi te Rapidi i Vjenës, skuadra rekordmene austriake përsa i përket titujve kampionë (32): 1.5 milionë euro blerja e kartonit, kontratë 3-vjeçare dhe 1.2 milionë euro neto. Rapidi ishte “vrasësja” e ish-klubit mëmë të sulmuesit shkodran, Vllaznisë (dy fitore 5-0, 3-0), në turin e dytë eliminator të Ligës së Euopës. Në sezonin aktual, Rapidi i Vjenës pas 5 javëve (ka një ndeshje më pak) renditet në vendin gjashtë me 8 pikë, teksa ka shënuar 12 gola e ka pësuar gjashtë të tillë.
GODITJE CILËSORE
Në fakt, transferimi zyrtar i Salihit nga skuadra modeste e SV Riedit te gjigantët austriake mund të konsiderohet si një goditje e minutës së fundit, por në të vërtetë tratativat për sigurimin shërbimeve të ish-sulmuesit të Vllaznisë e Tiranës në kampionatin shqiptar, kishin kohë që kishin nisur. Madje për herë të së vërtetës, SV Ried e kishte vonuar qëllimisht transferimin për të përfituar nga “shtrenjtimi” i kartonit të shqiptarit. Largimi
sulmuesit Stefan Majerhofer në Angli te Volverhampton Uonderes rriti “kuotat” e shkodranit. Mediat austriake e konsideruan blerjen e Salihit si një goditje cilësore të 14-herë fituesve të Kupës së Austrisë.
SULMUES IDEAL
Ia vlen të kujtojmë se Pakult e ka ndjekur Hamdiun dy herë “live” në Tiranë, kur shkodrani ishte në radhët e Tiranës, por ky i fundit preferoi një SV Riedin në janar të vitit 2007, ku iu garantua një vend titullari. Në transferimin e dytë të Salihit te një skuadër austriake një rol të dorës së parë luajti trajneri Peter Pakult, i cili vazhdimisht e ka konsideruar Salihi si një sulmues ideal për skemat e tij. Salihi do të jetë një ndër tetë lojtarët e huaj të Rapidit, që ka në gjirin e tij edhe një sulmues tjetër, kroatin 24-vjeçar Nikica Jelaviç, ky i fudnit luan nga sezoni 2008-2009, por rendimenti i tij është i ulët: 34 ndeshje, 7 gola. Ndërkohë që Salihi la Riedin, një tjetër lojtar shqiptar zuri vendin e tij. Sulmuesi Atdhe Nuhiu u huazua deri në përfundim të sezonit nga Austia Kartnen.
MAKINË GOLASH
Hamdi Salihi me golat e tij bëri histori te SV Ried, duke pasur një mesatare të lartë shënimi: 82 ndeshje, 34 gola (reth 0.45 gola për ndeshje). “Një mesatare e respektueshme”, -shkruante faqja zyrtare e klubit të Rapidit. Në sezonin aktual, Hamdi Salihi është aktivizuar në 6 ndeshje duke shënuar 2 gola. Salihi, i cili në të kaluarën është aktivizuar edhe gjashtë ndeshje në Greqi për Panionosin (2004-2005), dallohet për instiktin e tij vrasës në zonë. Salihi ishte dje në kampin e Rapidit të Vjenës, ndërsa sot do të udhëtojë drejt Shqipërisë për t’u bashkuar me lojtarët e tjerë të kombëtares shqiptare për sfidën kundër Danimarkës.
NË SUPERLIGË
Galica
Sulmuesi Elhan Galica është blerja e orëve të fundit të Vllaznisë, që kompletohet kështu në vijën e parë.
Ishka
Mesfushori i avancuar Sokol Ishka u transferua te Shkumbini i Peqinit, që dy ndeshje ka grumbulluar vetëm një pikë.
Jurgen Gjasula nënshkruan për FSV Frankfurt
Jurgen Gjasula nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me FSV Frankfurt, klub i Bundesligës së Dytë gjermane. Mesfushori 23-vjeçar shqiptar i natyralizuar si gjerman u transferua në parametra zero nga skuadra zvicerane FC Bazel. FSV Frankurt në katër ndeshjet e para ka grumbulluar vetëm një pikë dhe ndodhet në vendin e fundit (golat 1-9). Gjasula nuk është i panjohur në Gjermani, pasi më parë ka luajtur për të rinjtë e Frajburgut dhe në sezonin 2004-2005 ka veshur fanellën e Kaiserslauternit (7 ndeshje) në Bundesligën 1. Gjasula ka luajtur për tre sezone në Zvicër edhe me St.Gallen. Çuditërisht në median sportive shqiptare para disa javësh u shkrua se Gjasula mund të vishte fanellën e Laçit.
Lala e Hyka “ndryshojnë” statistikat gjermane
Lojtarët shqiptarë e kosovarë si Altin Lala, Jahmir Hyka, Albert Bunjaku, Valdet Rama apo Faton Toski kanë “pjesën” e tyre të 50.2 përqindëshit të lojtarëve të huaj në Bundesligë 1, çka përbën edhe një risi në futbollin gjermanë, pasi për herë të parë në kampionatin maksimal “sundon” shumica e përbërë nga lojtarë që nuk mund të luajnë për Kombëtaren gjermane. Ky përfundim ka dalë nga një studim i porositur dhe i sponsorizuar nga FIFA. Klubet angleze kanë nga e tyre 59.2 për qind lojtarë të huaj, ku kampion është Liverpuli, ku 90.5 për qind e futbollistëve nuk janë anglezë. Bundesliga gjermane ka vendosur një rekord të ri për sa i përket shpenzimeve për blerjen e lojtarëve për edicionin 2009-2010: 18 klubet shpenzuan 200,25 milionë euro për 167 lojtarë të rinj.
Berluskoni-Taçi, darkë “kuqezi”
Pas ndeshjes Milan-Inter (0-4), presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni dhe Administratori i Deleguar i kuqezinjve, Adriano Galiano, kanë darkuar dhe biznesmenin e njohur shqiptar Rezart Taçi. Sipas mediave italiane, Taçi, i cili ishte shumë pranë blerjes së klubit të Bolonjës, mendohet që ti ketë shprehur vullnetin e tij dy drejtuesve të Milanit për të bërë edhe ai pjesë paketës aksionare te kuqezinjve, duke mundur të sjellë të ardhura të tjera për të investuar në merkato. Gjithsesi duket se skuadra nga Milano nuk është e prirur që ta bëjë këtë gjë tani.
Xhemaili, Parma destinacioni i ri
Telenovela më në fund është zgjidhur me një fund të lumtur. Mesfushori kosovar me pasaportë zvicerane, Blerim Xhemajli, ka arritur një marrëveshje me Parmën, skuadër në të cilën do të luajë në formë huazimi për 1 sezon me opsionin e nënshkrimit të kontratës pas një viti. Për një vit huazimi Torino do të përfitojë 1 milionë euro, ndërsa nëse vitin e ardhshëm 24-vjeçari do të firmosë përfundimisht për Parmën atëherë Torino do të përfitojë 3,5 milionë euro. Për Xhemailin, i cili mbërriti në Itali nga Boltoni, kishin shprehur më parë interesim edhe Milani e Juventusi.
1 Shtator 2009