U mashtrua, përdhunohet nga tre vetë 19-vjeçarja
DURRES/ OERD ULQINI
Një vajzë 19-vjeçare është përdhunuar nga tre persona në breg të lumit Erzen, teksa në një kohë rekord policia ka prangosur dy prej përgjegjësve dhe po gjurmon këmba-këmbës një person të tretë. Gjithçka ndodhi pas denoncimit që vajza me inicialet A.Sh., banore e fshatit Hardhishtë të Durrësit ka bërë në polici. Shtetasit 20-vjeçarë I.Troplini., nga fshati Romonat dhe I.Kokomani nga Hardhishta janë prangosur vetëm 30 minuta pas denoncimit të së përdhunuarës në polici, teksa bashkëmoshatari i tyre D.Plaku, banor i fshatit Romonat është shpallur në kërkim. Vepra penale në ngarkim të tyre është "marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura, kryer në bashkëpunim", e parashikuar kjo nga neni 102/2 i K. Penal. Sipas dëshmisë së vajzës në polici, ngjarja ka ndodhur në datën 28 gusht, në orën 23:00 të natës, por vetëm kur ka kaluar më shumë se 24 orë e dhunuara ka marrë guximin të denoncojë. Ajo është dukur e shokuar, por gjithsesi rrëfimi i saj i rrjedhshëm dhe disa prova shkencore kanë bindur policinë, e cila në kohë rekord ndërtoi edhe aksionin për arrestimet. Aksioni "blic" ekzekutoi dy nga mandat-arrestet në orën 22:00 të së dielës. Në kryerjen e tij ndihmoi edhe përshkrimi i detajuar që bëri vajza për tre agresorët. Mësohet se vajza e re është tërhequr fillimisht në mes të pyllit të Hardhishtës nga një person, i cili me fjalë të bukura arrin ta bindë atë të zbresë në atë orë të vonë, por fatkeqësisht aty e prisnin edhe dy persona të tjerë. Pylli i Hardhishtës, ku është konsumuar ngjarja ndodhet në breg të lumit Erzen, vetëm 300 metra larg shtëpive të fshatit. Policia po vazhdon hetimin për të zbuluar njohjen e vajzës me personin që e shtyu drejt përdhunimit kolektiv.