E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 “gladiatorët” para Danimarkës



Njëzet lojtarët e thirrur nga trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, për ndeshjen e kundër Danimarkës (9 shtator), sfida e parafundit në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010, kanë pasur fate të ndryshme në fundjavën që kaloi (28-30 gusht) në kampionatet e ndryshme ku ata aktivizohen, duke shijuar të tre rezultatet: fitore, barazim, humbje, por dhe mosaktivizime me skuadrat e tyre. Të martën, më 1 shtator nisin dhe zyrtarisht dhe ditët anti-Danimarkë, dhe ia vlen tu bëjmë një skanim “20 më të mirëve” të Shqipërisë, nga porta te sulmi, sesi vijnë ata në përballjen prestigjioze kundër një skuadre që na ka shkaktuar humbjen më të thellë në këto eliminatore: 3-0 në Kopenhagen, më 1 prill 2008, që solli më pas edhe shkarkimin e ish-trajnerit holandez të përfaqësueses sonë, Ari Han.

PORTA
Samir Ujkani (Novara, Itali): Portieri i Kombëtares shqiptare vazhdon të jetë protagonist me Novarën e Serisë C1. Të dielën Novara fitoi 2-1 me Sorrenton e Florjan Myrtajt. E veçanta: Myrtaj shënoi golin e vetëm të ekipit të tij, Sorrento, në portën e mbrojtur nga kosovari Ujkani.

Isli Hidi (Krivbas, Ukrainë): Gardiani i përfaqësueses u rikthye midis shtyllave te skuadra e tij, Krivbas, në Premier Ligën ukrainase. Fatkeqësisht, të shtunën e kaluar, Krivbasi i katër shqiptarëve humbi 2-0 në shtëpi me Iliçeviçin. Vendi i fundit. Asnjë pikë për Krivbasin në gjashtë ndeshje. Rekord negativ.

MBROJTJA

Armend Dallku (Vorskla Poltava, Ukrainë) - Skuadra “kosovare” e Vysha Ligës humbi 1-0 në transfertë me Tavrian në kampionatin ukrainas. Mbrojtësi Dallku luajti gjatë gjithë takimit, duke u ndëshkuar edhe me një karton të verdhë. Të enjten e kaluar, Vorskla fitoi2-1 me Benkikën e Portugalisë, por u eliminua nga vazhdimi i Ligës së Europës, pasi takimin e parë e kishte humbur 4-0.

Debatik Curri (Vorskla Poltava, Ukrainë)- Në ndryshim nga Dallku, Debatik Curri nuk mbeti i “njollosur” në humbjen kundër Tavrias. 90 minuta të plota për të. Gjashtë pikë në gjashtë ndeshje për Krivbasin. Vendi i 11-të nga 16 ekipe të Premier Ligës ukrainase.

Elvin Beqiri (Vllaznia, Shqipëri) – Mbrojtësi me përvojë i Vllaznisë e disa ekipeve të huaja, Elvin Beqiri, mbetet një pikë kyçe në skuadrën shkodrane. E tregoi veten në fitoren 1-0 të Vllaznisë kundër Apolonisë në fundjavë. I rikthyer me kohë të plotë, synon të tilla minuta me Kombëtaren. Kuzhe kundër Portugalisë e Gjeorgjisë i shpiku vendin në mesfushë, por ndaj Qipros e aktivizoi si zëvendësues.

Kristi Vangjeli (Aris, Greqi) – Mbrojtësi i majtë i Aris të Selanikut nuk është aktivizuar asnjë minutë në këtë edicion të Superligës greke. Gjithsesi, Vangjeli mbetet një opsion i mirë në krahun e majtë të mbrojtjes.

Andi Lila (Tirana, Shqipëri) – Mbrojtësi kavajas i Tiranës ka luajtur vetëm një “çerek” ndeshje nga dy që janë zhvilluar në Superligën shqiptare. Lila u ndëshkua me karton të kuq në takimin e javës së parë në ndeshjen e humbur të Tiranës kundër Flamurtarit (1-3).

MESFUSHA

Lorik Cana (Sandërlend, Angli) – Skuadra e mesfushorit shqiptar, Sandërlendi humbi 1-0 në transfertën me Stok Sitin në javën e katërt të kampionatit anglez, Premier Liga. Lorik Cana u ndëshkua me karton i verdhë. Pozitive: Cana është votuar dy herë si lojtari më i mirë i skuadrës në katër ndeshjet e para. Një sinjal i fortë për trajnerin Kuzhe.

Gilman Lika (Boluspor, Turqi) – Mesfushori shkodran shënoi golin e vetëm të ekipit të tij, Boluspor, në humbjen 2-1 me Rizesporin, takim i vlefshëm për javën e dytë të kampionat turk të kategorisë së dytë. Mesfushori i majtë shënoi në minutën e 58-të. Lika ka shënuar 3 gola në dy ndeshjet e para. Një rekord ky për të. Ëndrra e tij: goli i parë me Kombëtaren.

Ervin Bulku (Krivbas, Ukrainë) – “Mushkëria” e re Kombëtares shqiptare luajti 90 minuta me Krivbasin e tij kundër Iliçeviçit, por pa e ndihmuar dot të shmangte humbjen 2-0, e gjashta radhazi në gjashtë javët e para të kampionatit ukrainas. Gjithsesi, Bulku me fanellën kuqezi është digë e vërtetë në mesfushë. Pasues i denjë i Lalës së dëmtuar.

Ansi Agolli (Krivbas, Ukrainë)- Këmbëmajti ende nuk e ka zënë një vend titullari fiks në skuadrën e tij të re. Edhe të shtunën e kaluar kundër Iliçeviçit luajti si zëvendësues, duke u futur në lojë nga minuta e 77-të. Megjithatë, në Kombëtare vendi i tij është i padiskutueshëm. Bonusi: dy gola në dy ndeshjet e fundit miqësore.

Jahmir Hyka (Mainc 05, Gjermani): “Xhuxhi virtuoz” i Maincit ka rigjetur minutat e tij në Bundesligë, edhe pse ato ende janë të pakta. Tri herë rresht në ndeshjet e fundit me minuta në këmbë (Hanover, Bajern, Borusia Mënshengladbah: 45 minuta në total), ku spikat aktivizimi në fitoren 2-1 historike të Maincit kundër Bajernit të Munihut. Ndihet mirë fizikisht dhe Gjermania i ka mësuar shumë hile të futbollit. Autori i golit më të shpejtë në historinë e Kombëtares në miqësoren kundër Lihteshtejnit (2-0), synon minuta edhe kundër Danimarkës.

Ervin Skela (pa ekip): Kapiteni dhe fantazisti i Kombëtares është ende pa skuadër, por stërvitjet me Bajer Leverkuzenin e kanë mbajtur në formë. Shënoi dy gola me penallti kundër Qipros dhe ndaj Danimarkës synon të tjerë në misionin e tij për të arritur golashënuesin më të mirë historik të kuqezinjve, Alban Bushin (14 gola) me të cilën e ndan vetëm një distancë prej dy golash.

Klodian Duro (Apolon Limasol): Mesfushori polivalent i Apollon Limasolit dha ndihmesën e tij në fitoren në transfertë 3-0 me Enosis në javën e parë të Superligës qipriote. Në ndeshjen e fundit kundër Qipros nuk shënoi nga pika e a bardhë, por Duro mbetet gjithmonë një frymëzues me Kombëtaren dhe trajneri Kuzhe ia di vlerat.

Jetmir Sefa (Tirana, Shqipëri) – Mesfushori Sefa është aktivizuar në dy ndeshjet e para me Tiranën, por në fushën e lojës ka dhënë më pak sesa pritej nga një lojtar i talentuar si ai. Sefa është një ndër tre futbollistët e thirrur nga kampionati shqiptar.

Emiljan Vila (Lokomotiva, Zagreb): Mesfushori i blerë nga kampionia e Kroacisë, Dinamo e Zagrebit është huazuar te filiali i saj, Lokomotiva e Zagrebit e Kategorisë së Dytë. Rregullisht i aktivizuar.

SULMI

Hamdi Salihi (SV Ried, Austri): SV Ried i Hamdi Salihit humbi 2-0 kundër Shturmit të Gracit në kampionatin austriak, Bundesliga 1, njëherësh edhe ndeshja e fundit e Hamdiut me këtë skuadër. Sulmuesi shkodran e nisi si titullar takimin, duke u zëvendësuar në minutën e 86-të. Mbërrin në Shqipëri si blerja më e re Rapidit të Vjenës me të cilën nënshkroi një kontratë 3-vjeçare. Salihi ka shënuar deri tani 2 gola në Austri, ndërkohë që në ndeshjen e fundit me Kombëtaren, atë kundër Qipros (6-1) fitoi dy penallti (të realizuara nga Skela) e dha një asistMe Kombëtaren ka shënuar vetëm një gol në miqësoren kundër Maltës, ndoshta ka fat kundër Danimarkës për të realizuar golin e parë në një ndeshje zyrtare.

Erjon Bogdani (Kievo, Itali): Kievo e Erjon Bogdanit pësoi humbjen e dytë rresht në dy javët e para të Serisë A, kësaj radhe në shtëpi 2-1 me Lacion e Igli Tares. Sulmuesi shqiptar luajti si titullar, por u zëvendësua në minutën 67-të. Erjoni edhe në humbjen 1-0 kundër Juves u zëvendësua nga trajneri Di Karlo. Kundër Portugalisë (zyrtare) e Qipros (miqësore) shënoi nga një gol. Bogdani, me përjashtim të Panajot Panos, është lojtari i vetëm në grupin aktual që i ka shënuar gol Danimarkës, në një ndeshje të humbur 3-1 (2005), atëherë kur skuadra drejtohej nga Hans Peter Brigel.

Edmond Kapllani (Augusburg, Gjermani): Sulmuesi durrsak po vuan edhe te Augsburgu i Bundesligës 2 “sindromën” e Karlsruhes, kur kjo e fundit ishte në Bundesligën 1: moskativiznimin. Me përjashtim të javës së parë kundër Energi Kotbusit (të humbur 3-1), ku Kapllani luajti si titullar (u zëvendësua në minutën e 62-të) nuk është aktivizuar asnjë minutë me Augsburgun. Rikthimi i tij pas mosthirrjes në miqësoren kundër Qipros mund të shërbejë si nxitje për të kërkuar golin e tij të shtatë me përfaqësuesen shqiptare.

Besart Berisha (Arminia Bielfeld, Gjermani): Kosovari edhe pse u konsiderua si një blerje e rëndësishme te Arminia Bielefeldi i Bundesligës 2, ka gjetur pak hapësire te klubi gjerman. Besart Berisha, ndoshta edhe për shkak të procesit të ambientimit me skuadrën është futur në lojë si zvëndësues: dy ndeshje, që në total bëjnë 37 minuta lojë. Kuzhe beson te Berisha dhe e riktheu në Kombëtare duke i dhënë fund polemikave mediatike me sulmuesin 24-vjeçar.

ELIMINATORET E
KAMPIONATIT BOTËROR 2010
GRUPI 1, ZONA EUROPIANE

NDESHJET E SHQIPËRISË

Shqipëri-Suedi 0-0
Shqipëri-Maltë 3-0
Hungari-Shqipëri 2-0
Portugali-Shqipëri 0-0
Maltë-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Hungari 0-1
Danimarkë-Shqipëri 3-0
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 09.09
Suedi-Shqipëri 14.10

RENDITJA
Ekipi N P
Danimarka 6 16
Hungaria 6 13
Portugalia 6 9
Suedia 6 9
Shqipëria 8 6
Malta 8 1

Takimi i parë
DANIMARKË-SHQIPËRI 3-0
1 prill 2009

Shqipëria: Isli Hidi, Kristi Vangjeli, Armend Dallku, Debatik Curri, Gilman Lika, Ansi Agolli, Ervin Bulku (46’ Hamdi Salihi), Klodian Duro, Ervin Skela, Dorian Bylykbashi (82’ Elvin Beqiri), Besart Berisha (85’ Migen Memelli). Trajner Ari Han

NDESHJET ME DANIMARKËN

29.06.1963
Tr.: Loro Boriçi
Danimarkë-Shqipëri 4-0
(El. Kamp.Europian)

30.10.1963
Tr.: Zyber Konçi
Shqipëri-Danimarkë 1-0
(El. Kamp.Europian)

02.06.1993
Tr.: Bejkush Birçe
Danimarkë-Shqipëri 4-0
(El. Kupa e Botës)

08.09.1993
Tr.: Bejkush Birçe
Shqipëri-Danimarkë 0-1
(El. Kupa e Botës)

09.10.2004
Tr.: Hans P.Brigel
Shqipëri-Danimarkë 0-2
(El. Kupa e Botës)

08.06.2005
Tr.: Hans P.Brigel
Danimarkë-Shqipëri 3-1
(El. Kupa e Botës)

01.04.2008
Tr.: Ari Han
Danimarkë-Shqipëri 3-0
(El. Kupa e Botës)

Bilanci: 7 takime; 1 fitore, 0 barazime, 6 humbje

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›